“Ngjarja e paprecedentë e uzurpimit të godinës së News24, pushtimi i saj me policë të shtunën e 9 gushtit dhe moslejimi i gazetarëve të hyjnë në godinë, ishte në kundërshtim me ligjin, që e njeh atë godinë si pronë të bashkisë së Tiranës”.

Kështu u shpreh kryetari i shoqatës së bashkive Agron Haxhimali, në intervistë e tij që dha në studion e News24 me moderatorin Renaldo Salianji. Haxhimali tha se në vendin tonë, autonomia vendore nuk respektohet pasi, miratimi për tjetërsimin e pronës nuk u mor nga Këshilli Bashkiak, si pronar i truallit dhe bashkisë i lind e drejta të ankimojë këtë vendim.

“Është e papranueshme injorimi i vendimit të gjykatës. Kemi raste të ndryshme të ndërhyrjes në autonominë vendore, shkelen në mënyrë të vazhdueshme, të ngjarjeve që bëjnë precedent që nuk duhet ti ketë një shoqëri demokratike. Është një pazëll që do të krijojë një fotografi dhe do të lërë gjurmë.

Qeveria shqiptare, institucionet, parlamenti politika duhet të jenë më kritik dhe brenda familjes politike për ngjarje të caktuara. Është shumë e rëndësishme të ketë zë institucional”, u shpreh g Haxhimali.

Por, edhe zhvillimet e tjera gjatë këtyre muajve, siç ishin aksionet për lirimin e hapësirave publike, për kreun e shoqatës së bashkive, tregojnë se Shqipëria ka një qasje tjetër ndaj ligjeve, ndryshe nga Evropa ku aspiron.

“Të pretendosh se kemi hapur kapitujt por a mjafton kjo para se të shkojmë drejt finalizimit të procesit sepse Evropa është demokraci. Si e trajtojmë pronën, individin, ne kemi problem me pronat, çfarë kapitujt kemi hapur kur cenojmë pronën private?

Duhet parë sa e kemi vullnetin, si e ke përputhur me frymën e komunitetit evropian, sepse ligjet janë të shkruara bukur por nuk zbatohen. Është çështje vullneti!”, tha Haxhimali.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb