Komisioni Evropian do të miratojë në ditët në vijim pagesën e parë të mjeteve për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, mëson Radio Evropa e Lirë (REL) nga burime të besueshme në këtë institucion. Serbia tashmë ka marrë mjete në formë të parafinancimit nga Plani i Rritjes, ndërsa tani do të marrë edhe pagesën e parë të rregullt.
Kjo pagesë do të jetë në vlerë prej 61 milionë eurosh. Siç kanë sqaruar burimet në Komisionin Evropian, fillimisht ishte planifikuar që kësti i parë të ishte 112 milionë euro. Megjithatë, për të marrë shumën e plotë, Serbia duhej t’i përmbushte shtatë hapa reformues. Sipas burimeve të REL-it, Serbia deri më tani i ka përmbushur plotësisht tri nga shtatë reformat e parashikuara, prandaj Komisioni Evropian ka vendosur ta zvogëlojë shumën e këstit të parë.
Pjesa e mbetur e mjeteve do të shpërndahet vetëm pasi Serbia t’i përmbushë edhe obligimet e tjera reformuese të parashikuara. Serbia, për momentin, është e fundit në radhën e shteteve që konsiderohen se i kanë përmbushur kushtet dhe kanë ndërmarrë reforma të rëndësishme për t’u harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian. Pagesën e parë nga ky paketë tashmë e kanë marrë në tetor të vitit të kaluar Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Pa mjete nga ky paketë, për momentin, kanë mbetur Kosova dhe Bosnje e Hercegovina.
Komisioni Evropian e ka miratuar Agjendën e Reformave të Bosnjë e Hercegovinës vetëm në dhjetor, ndërsa mjetet financiare, përfshirë edhe parafinancimin, mund të fillojnë të shpërndahen vetëm pasi marrëveshjet përkatëse të hyjnë në fuqi dhe pasi të përmbushen të gjitha kushtet. Kosova, nga ana tjetër, ende nuk i ka miratuar marrëveshjet e kredisë me Komisionin Evropian, për shkak të krizës institucionale vitin e kaluar, që pamundësoi krijimin e një ekzekutivi të ri. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor paraqet paketën financiare më ambicioze të Bashkimit Evropian për rajonin.
Vlera e përgjithshme e paketës është 6 miliardë euro, prej të cilave 4 miliardë janë në formë kredish të favorshme, ndërsa 2 miliardë janë mjete të pakthyeshme (grante). Mjetet do të shpërndahen në përputhje me numrin e banorëve dhe prodhimin e brendshëm bruto të secilit shtet. Sipas planeve paraprake, Shqipërisë i janë ndarë 922.1 milionë euro, Bosnjë e Hercegovinës 1 miliard e 85 milionë euro, Kosovës 882.6 milionë euro, Malit të Zi 383.5 milionë euro, Maqedonisë së Veriut 750.4 milionë euro, ndërsa për Serbinë janë paraparë 1 miliard e 586.4 milionë euro. Të gjitha projektet e financuara nga Plani i Rritjes duhet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027 dhe zgjatja e afateve nuk do të jetë e mundur.
Bosnjë e Hercegovina në korrik të vitit të kaluar humbi 108 milionë euro, pasi nuk i përmbushi afatet për miratimin e agjendës së reformave. Në raste të tilla, mjetet e humbura rishpërndahen te shtetet e tjera të rajonit.
