TIRANE – Shumë prindër besojnë se është e dobishme t’i lenë fëmijët të qajnë. Së fundi është përhapur ideja se pak minuta lot nuk i bëjnë keq bebeve, madje i ndihmojnë të qetësohen vetë dhe të bien në gjumë. Teknika e “pritjes progresive”, e njohur ndryshe edhe si “metoda 5-10-15”, e zbuluar nga neurologu dhe pediatri Richard Ferber, përdoret sot nga shumë prindër në mbarë botën.
Megjithatë prindërit nuk e dinë realisht se çfarë ndodh me trupin e fëmijës, nëse e lenë të qajë. Pasojat fizike dhe psikologjike që mund t’i shkaktohen, mund ta shoqërojnë fëmijën tuaj gjatë gjithë jetës. Kur një fëmijë qan dhe askush nuk e prek me dorë, niveli i tij i stresit rritet. Me lotët e tij, foshnja kërkon të komunikojë diçka: ndoshta ka uri, ndjen dhimbje, ose thjesht ka nevojë për shoqëri. Bebet varen tërësisht nga prindërit dhe nuk mund të bëjnë pa ta. Nëse e qara e tij nuk kuptohet nga prindërit, trupi i foshnjës pushtohet nga hormonet e stresit. Me kalimin e kohës, kjo mund të dëmtojë sistemin nervor qendror të fëmijës.
Frika nga vdekja
Në një intervistë për “Süddeutsche Zeitung”, shefi i pavionit të psikosomatikës në spitalin pediatrik të Monakos, Karl Heinrich Brisch, bëri të ditur se kur fëmijët i lenë të qajnë, ata zhvillojnë në tru një plan emergjence, të ngjashëm me reflekset e kafshëve kur ndjejnë rrezikun për jetën, e ngjashme me frikën nga vdekja. Sipas tij, e qara pa pushim godet zhvillimin cerebral të fëmijëve dhe të vegjlit përballen me stresin.
Edhe psikologia Katharina Saalfrank flet për frikën nga vdekja tek foshnjat. “Fëmijët kanë frikë nga vdekja në çdo sekondë që kalon”- thotë ajo.
Fabienne Becker-Stoll, drejtoresha e Institutit të pedagogjisë infantile në Bavari deklaron se “fëmijët kanë nevojë për ngrohtësinë trupore të prindërve, për nevojat e tyre elementare psikologjike dhe për të pakësuar nivelin e stresit. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të krijojnë një lidhje të ngushtë me prindërit dhe më pas me personat që i rrethojnë”.
Pasojat psikologjike manifestohen në moshë të rritur
Fëmijët që i lenë të qajnë mund të mbeten të traumatizuar. Mungesa e ndërhyrjes së prindërve do të thotë: “Qaj sa të duash, askush nuk do të vijë të të ndihmojë”. Nga kjo situatë, fëmijët mund të manifestojnë probleme me gjumin, ankth, dhe simptoma depresive.
Të lini fëmijët të qajnë nuk ka asnjë vlerë pedagogjike
Prindërit që nuk reagojnë menjëherë kur fëmija qan, nuk i bëjnë mirë askujt, as vetes dhe as fëmijës. Metoda e “pritjes progresive” nuk ka asnjë vlerë pedagogjike, sepse të porsalindurit kanë një perceptim të ndryshëm për kohën në krahasim me të rriturit. Bebet nuk e dinë nëse kanë qarë për 5 apo 10 minuta dhe nuk janë në gjendje të nxjerrin konkluzione. Sipas kërkuesve britanikë, është vërtetuar se fëmijët qajnë më shumë kur injorohen nga prindërit.
Sekreti i suksesit: Shumë përkëdhelje
Studimet kanë vërtetuar se kontakti i ngrohtë me prindërit sjell benefite në fazat e zhvillimit të fëmijës. Disa shkencëtarë amerikanë kanë vërtetuar se foshnjat që janë përkëdhelur dhe kanë patur përkujdesje në muajt e parë të jetës, pa u lënë të qajnë të vetëm, ja kanë dalë më mirë në çdo fushë, në moshë madhore, kanë patur shëndet më të mirë dhe më pak tendenca depresive.
Këshilla më e mirë për prindërit? Dëgjoni instiktin tuaj. Përgjigjuni thirrjes dhe lotëve të fëmijës, ky është një reagim tërësisht natyral.
(er.nu/BalkanWeb)
