Deputeti i PD, Belind Këlliçi deklaroi se ekzistojnë dy kriteret kryesore për emërimin e Skënder Hitës si Drejtor i ri i Policisë së Shtetit, të cilat nuk përmenden në dokumente zyrtare, por kanë ndikuar në vendimmarrjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas Këlliçit, kriteri i parë ka të bëjë me kontributin e Hitas në “farsën elektorale të 11 majit” në Qarkun e Fierit, ku, sipas tij, janë arritur rezultate rekord që i përmbushin pritshmëritë e kryeministrit Edi Rama.

Kriteri i dytë lidhet me lidhjen e tij me Belinda Ballukun, për të cilën Rama, sipas Këlliçit, është i gatshëm të ndërhyjë në Kuvend për ta mbrojtur dhe për të penguar hetimet e SPAK-ut dhe reformën në drejtësi. Ai tha se Skënder Hita është lidhje e fortë e ish-zv/kryeministres, Belinda Balluku.

Deputeti shtoi se kritere të tjera, të përmendura zyrtarisht nga Ministri i Brendshëm dhe në njoftime publike, mund t’i plotësonte edhe një kandidat tjetër. Por, sipas Këlliçit, për të fituar besimin e kryeministrit dhe për të marrë postin, drejtuesi i ri duhet të ketë aftësi në menaxhimin e grupeve kriminale, të mbrojë interesat e tyre, të sulmojë kundërshtarët politikë dhe të sigurojë vota për strukturat e Rilindjes.

“Ky është Drejtori i ri i Policisë. Të tjerat, konkurset dhe kriteret e shpallura janë thjesht ushqim për propagandën e lodhur”, tha Këlliçi.

Reagimi

Belind Këlliçi: Janë 2 kriteret kryesore që plotësonte Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, për të cilat nuk shkruhet në letra e nuk flitet zyrtarisht, por që kanë ndikuar në vendimmarrjen e Edi Ramës.

E para, kontributi i tij madhor në farsën elektorale të 11 majit, në Qarkun e Fierit, me rekordet e një rezultati Bjellorus, ashtu siç Edi Rama po e kërkon nëpër gjasme analiza e asamble.

E dyta, lidhja e fortë me Belinda Ballukun, për të cilën Edi Rama është gati të ngrejë kartonat në Kuvend për ta mbrojtur, dhe të prapësojë SPAK e reformën në drejtësi.

Sa për ato pallavrat që flet Ministri i Brendshëm e që shpërndahen nëpër njoftime, ato ishin kritere që mund t’i plotësonte kandidati tjetër.

Por që të kesh besimin, që të fitosh zemrën e Edi Ramës, duhet të jesh menaxher i mirë i bandave e krimit të organizuar, të njohësh interesat e tyre, të garantosh paprekshmëri për ta, të sulmosh kundërshtarët politikë dhe të mbushësh thesin me vota për rilindjen.

E po ashtu, të kontribuosh në çështjen Balluku, edhe tani që ajo ka nevojë të ketë policinë e shumë asete të tjera publike e qeveritare në dispozicion për të penguar hetimin e drejtësinë.

Ky është Drejtori i ri i Policisë. Të tjerat, konkurset e kriteret, ushqim i ndenjur për progagandën e lodhur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb