Kanë vijuar replikat në Kuvend, këtë herë mes Belind Këlliçit, Niko Peleshit dhe ish-ministres së Jashtme, Elisa Spiropali.
Deputeti demokrat “thumboi” Peleshin duke i kujtuar se shkarkimi i papritur i Spiropalit e ka detyruar kryeparlamentarin të radikalizohet. Ai e quajti Spiropalin si pjesë të klubit të anglishfolësve në PS, ndërsa shtoi se edhe kryetari i Kuvendit mund të ishte i shqetësuar nga lëvizjet e tjera të mundshme.
Por e menjëhershme ishte përgjigjja e ish-ministres së Jashtme. Në replikë me Këlliçin, Elisa Spiropali tha se e vetmja keqardhje e saj ishte se largimin nga Qeveria e paralajmëroi në sallën e Kuvendit, kryetari i PD, Sali Berisha.
“Vetëm për këtë jam e habitur se i doli fjala, dhe asgjë tjetër”, tha Spiropali.
Replikat në Kuvend
Belind Këlliçi: Niko, mendova se kishe reflektuar dhe i kishe marrë parasysh shqetësimet e partnerëve, edhe takimet që ke bërë se je ndër të paktët politikanë që je pritur edhe në SHBA. Por, largimi i ministres së Jashtme si pjesë e klubit të anglishtfolësve në PS, me sa duket të ka detyruar të radikalizohesh nga ndonjë merak i brendshëm që mund të kesh.
Ma ler fjalën se kam 3 muaj që nuk jam në Parlament. E tentove të na hiqje fjalën. Se kuptoj këtë qasje tënden. Kjo shkon dhe me projektin e PS për të hequr fjalën dhe përgjysmuar fjalën e opozitës. Paskeni përjashtuar 20 ditë Shehajn, kur s’ka bërë gjë. Niko mos u bëni mburojë e korrupsionit. Kërkova të zbatohej kërkesa për masën ndaj Ballukut. Këtë kërkon Brukseli dhe ndërkombëtarët. Është absurde që t’i ndalosh replikën opozitës. Ndërhytë te fjala e Zhupës. Unë prej 3 muajsh nuk kam qenë në seancë, është e turpshme drejtimi i kësaj seance. Çohet kryetari i grupit të PS fyen kryetarin e grupit të PD dhe i tërhiqet vëmendja bardhit. Të futemi në normalitet në këtë seancë. Lërini konfliktet. Qëndroni në lartësinë e detyrës suaj.
Elisa Spiropali: Unë nuk flas vetëm anglisht, flas dhe gjuhë të tjera. Më mirë se shqipen s’flas asnjë gjuhë tjetër. Flas mirë, troç. Çdo detyrë në Kuvendin e Shqipërisë është nder. Jam e qartë, e qetë. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq, është se largimin tim e paralajmëroi Berisha dhe jo ndonjë tjetër. Vetëm për këtë jam e habitur se i doli fjala, dhe asgjë tjetër!
