Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se Internacionalja Demokrate e Qendrës (CDI), organizata më e madhe ndërkombëtare e qendrës së djathtë, ka miratuar një deklaratë për situatën në Shqipëri, duke shprehur solidaritet me opozitën dhe protestuesit.

CDI shpreh shqetësim për atë që e cilëson përkeqësim të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike në Shqipëri.

Organizata ndërkombëtare deklaron gjithashtu solidaritet me opozitën demokratike dhe qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore, duke theksuar se e drejta për protestë, liria e shprehjes dhe pjesëmarrja politike janë të drejta themelore demokratike.

Deklarata:
Të nderuar qytetarë,
Organizata ndërkombëtare e qendrës së djathtë, më e madhja në botë, Centrist Democrat International CDI, me 115 parti anëtare që përfaqësojnë 83 shtete të botës, ku mes tyre bën pjesë dhe PDSH, zhvilloi punimet e Asamblesë së Përgjithshme në Bruksel.
Delegacioni i PDSH, i kryesuar nga Kryetari Sali Berisha, informoi Asamblenë mbi zhvillimet aktuale në Shqipëri, protestën epike qytetare që tashmë ka hyrë në ditën e 48 në shesh, si dhe kërkoi ngritjen e një grupi pune për të dokumentuar lidhjet e qeverisë shqiptare me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës, një kërkesë e cila u mirëprit menjëherë pozitivisht, së bashku me propozimin për zhvillimin e një konferencë ndërkombëtare për narkoshtetin në Shqipëri.
Pas njohjes me aktualitetin në vendin tonë dhe zhvillimet më të fundit, si dhe pas mbështetjes permanente me një sërë rezolutash mbi farsën elektorale të 11 majit 2025, kjo organizatë miratoi një deklaratë mbi situatën në Shqipëri, si më poshtë vijon:
Deklaratë e CDI-së për Situatën në Shqipëri.
Internacionalja Demokrate e Qendrës (CDI),
– Shpreh shqetësimin e saj të thellë për përkeqësimin e vazhdueshëm të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike në Shqipëri, siç pasqyrohet në raportet dhe vlerësimet e fundit ndërkombëtare.
– Shpreh solidaritetin e saj me opozitën demokratike dhe me mijëra qytetarë shqiptarë, veçanërisht me të rinjtë e shumtë, të cilët prej më shumë se 45 ditësh protestojnë në mënyrë paqësore në mbrojtje të demokracisë, transparencës, shtetit të së drejtës, mbrojtjes së mjedisit, të drejtës së pronës dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë.
– Rikonfirmon se e drejta për protestë paqësore, liria e shprehjes dhe pjesëmarrja politike janë liri themelore demokratike që duhet të respektohen dhe të mbrohen plotësisht.
– I bën thirrje autoriteteve shqiptare të angazhohen në një dialog të mirëfilltë demokratik, të zbatojnë plotësisht rekomandimet ndërkombëtare për reformën zgjedhore dhe forcimin e shtetit të së drejtës, të garantojnë kushte të barabarta për konkurrencën politike dhe të ndalin çdo formë intimidimi apo presioni ndaj protestuesve paqësorë, gazetarëve dhe shoqërisë civile.
– Rikonfirmon angazhimin e palëkundur të CDI-së për të mbështetur popullin shqiptar në përpjekjet e tij për demokraci, pluralizëm, shtetin e së drejtës dhe vlerat e CDI-së.
Ju faleminderit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb