Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Institutit Parlamentar të Kuvendit, që sipas tij përbën një skandal të paprecedentë, përfshirjen e diktatorit Enver Hoxha në listën e personaliteteve kombëtare për muajin tetor.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi e cilëson këtë akt si një përpjekje kriminale për të normalizuar të keqen, duke ringjallur mitet e komunizmit dhe duke fyer kujtesën historike të mijëra viktimave të diktaturës.
Ai kërkon që Kuvendi të tërheqë menjëherë këtë material skandaloz dhe t’i kërkojë ndjesë publike shoqërisë shqiptare, sidomos familjeve të atyre që vuajtën burgjet, internimet dhe terrorin e regjimit komunist.
Reagimi
Instituti Parlamentar i Kuvendit dhe “ringjallja” e Enver Hoxhës!
Skandaloze, kriminale dhe e turpshme futja e figurës së Enver Hoxhës në listën e personaliteteve kombëtare të muajit tetor nga Kuvendi i Shqipërisë!
Diktatori që prodhoi një regjim terrori, shtetin më të izoluar, popullin më të varfër e të shtypur të Europës radhitet ndër figurat e nderuara të kombit, krahas Sulejman Delvinës, Migjenit, Naim Frashërit, Abdyl Frashërit dhe at Gjergj Fishtës.
Sikur ky të ishte thjesht gabimi i një burokrati apo patronazhisti të lodhur që kopjon nga Wikipedia, edhe mund të merrej lehtë kjo “shkarje” parlamentare dhe tallje me shqiptarët.
Mirëpo duke konsideruar mijëra të vrarët e të pushkatuarit, por mbi të gjitha mbi 5 mijë viktimat e komunizmit, të cilëve nuk u gjendet as varri dhe eshtrat, mijëra të burgosur e familje të internuara dhe një popull të tërë të traumatizuar e të mbajtur të rrethuar me tela me gjemba, kjo është e patolerueshme në çdo aspekt.
Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm.
Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë e dënoj me forcë normalizimin e së keqes, duke konsideruar rezolutat e miratuara për dënimin e krimeve të komunizmit, orientimin demokratik të Republikës së Shqipërisë dhe qëndrimin pa asnjë dyshim kundër diktaturës si koncept dhe diktatorit më kriminel dhe gjakatar të historisë shqiptare.
Kuvendi i Shqipërisë duhet menjëherë të tërheqë këtë material dhe t’i kërkojë ndjesë publike shoqërisë shqiptare dhe mijëra familjeve të prekura nga krimet e Enver Hoxhës!
