Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike para Kryeministrisë, e planifikuar për ditën e hënë.
Këlliçi pranoi se opozita ka qenë e vonuar në reagimin e saj ndaj situatës politike, duke theksuar se disa veprime duhej të ishin ndërmarrë më herët.
“Patjetër që opozita është e vonuar në reagim. Kjo seancë që ndodhi sot duhet të kishte ndodhur edhe dy muaj më parë. Ne jemi përpjekur të bëjmë atë që na kërkohet, i bëmë të gjitha: kërkuam mocion me debat, diskutime dhe hapa të tjerë institucionalë, por pamjet që pamë sot në Parlamenet duhet të zhvendosen ditën e hënë para Kryeministrisë,” u shpreh deputeti i PD.
Ai theksoi se protesta e së hënës do të organizohet me masa të shtuara konfidencialiteti, për të shmangur rrjedhjen e informacionit mbi detajet e saj.
“Sipas mënyrës së organizimit, deri pak minuta para se të nisë protesta nuk do të merret vesh se çfarë do të ndodhë. Kjo është mënyra e organizimit të një proteste që nuk duhet të ketë rrjedhje informacioni. Nuk e di nëse do të ketë fjalime,” tha Këlliçi.
Sipas tij, organizimi i protestës është në dorën e një grupi të vogël organizator, të cilët po merren drejtpërdrejt me të gjitha përgatitjet.
