Dhjetëra punonjës të kompanisë Bankers Petroleum protestuan mesditën e sotme përpara zyrave të kompanisë në Marinzë, në një tubim të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, duke shfrytëzuar orarin e pushimit.
Kryetari i Sindikatës, Dritan Shahu, i drejtoi një thirrje publike shoqërisë Bankers dhe drejtuesit të saj, Hong Ping, që të ndalojnë së injoruari zërin e punëtorëve dhe të marrin masa për përmbushjen e kërkesave të tyre legjitime, përfshirë zbatimin e statusit të naftëtarit dhe ofrimin e dietës ushqimore.
“Nuk kërkojmë lëmoshë, por drejtësi sociale. Jemi grabitur për vite me radhë,” – u shpreh Dritan Rrapushi, sekretar i Sindikatës për degën Fier.
Punëtorët, disa prej të cilëve kanë dekada në këtë kompani, thanë se ndihen të nëpërkëmbur dhe të trajtuar padrejtësisht, pavarësisht kontributit të tyre të vazhdueshëm.
Organizatorët paralajmëruan se protesta e sotme është vetëm fillimi i një serie reagimesh publike, nëse drejtuesit e Bankers nuk dëgjojnë dhe nuk reagojnë ndaj shqetësimeve të ngritura.
