Anëtari i kryesisë së PD-së dhe drejtuesi politik në qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 11 Majit, Belind Këlliçi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ka deklaruar se PD disponon prova të reja të asaj që kjo forcë politike e quan farsë elektorale.
Sipas Këlliçit, janë rret 570 video autentike ku duket qartë se si komisionerët e Partisë Socialiste, me zë dhe figurë, të identifikuar me emër e mbiemër, kanë kërcënuar votuesit ose kanë hyrë në dhomën e fshehtë për të diktuar te zgjedhësit votën e tyre.
Belind Këlliçi: “Kemi përfunduar një material voluminoz, rreth 570 video, autentike, që janë pjesë e qendrave të votimit, në qarkun Tiranë dhe në zonat periferike të Tiranës, ku të gjitha shkeljet që ne u kemi treguar qytetarëve edhe në qytetet e tjera, janë fenomene që nuk janë të izoluara.
Pra, në Tiranë, ka pasur komisionerë të PS-së që kanë kërcënuar votuesit, kanë hyrë në dhomën e fshehtë për t’u diktuar votën, u kanë marrë fletën e votimit, janë të kapura nga pamjet filmike këto, për të kontrolluar votën dhe pastaj kanë hedhur në kuti fletën. Të gjitha këto janë të fiksuara në video dhe emra të komisionerëve se kush janë. Do të bëhen publike në ditët në vijim.
Janë 400 raste të votimit familjar, të intimidimit të tyre, të bexhave false. Shumë raste janë në Bashkinë e Vorës, aty ku pati përplasje fizike të deputetëve të PD-së. Por ndërkohë nuk po na japin pamje për qindra votimi në Tiranë ku ne kemi dyshime të arsyeshme për manipulim votash. Çuditërisht, tani thonë se në disa qendra ka pasur probleme me filmimin, si në Krrabë apo në Zall Bastar. Është detyrim ligjor që kamerat duhet të jenë të ndezura.”
(BalkanWeb)
