Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka hedhur poshtë deklaratat e Moskës mbi rrethimin e forcave ukrainase në Kupyansk dhe Pokrovsk, duke i quajtur ato “një gënjeshtër të plotë”.

“Kjo është një gënjeshtër e plotë. Dhe nuk është hera e parë,” – tha Zelensky duke reaguar ndaj pretendimeve të bëra nga zyrtarët rusë për përparime të mëdha në lindje të vendit.

Dje Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, deklaroi se forcat ruse kanë rrethuar qytetin Kupyansk në rajonin e Kharkivit dhe se po marrin kontrollin e kalimeve ushtarake mbi lumin Oskol.

Sipas Kremlinit, të cituar nga agjencia shtetërore TASS, rreth 5,000 ushtarë ukrainas janë rrethuar në zonën e Kupyanskut dhe mbi 5,500 të tjerë në Pokrovsk, në rajonin e Donetskut.

Presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një vizite në një qendër komande për “operacionin special në Ukrainë”, urdhëroi masat për dorëzimin e trupave ukrainase dhe për minimizimin e humbjeve njerëzore, sipas njoftimit të Kremlinit.

Situata në frontin lindor mbetet e tensionuar, me të dyja palët që raportojnë luftime të ashpra dhe pretendime të kundërta për kontrollin e territorit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb