“Gëzuar me ju” erdhi këtë të hënë me një mbrëmje të veçantë, të quajtur “Një mbrëmje për një mbrëmje”. Programi ku në qendër të saj kishte protagonist kantautorin e serenatave, Mihallaq Andrean, transmetuar më 31 dhjetor, erdhi me momentet më kulmore dhe emocionuese.
Në “Një mbrëmje për një mbrëmje” u transmetua edhe performanca që dy humoristët e grupit “Parodistët e Vlorës”, Agron Hamo dhe Afrim Agalliu, performuan në “Gëzuar me ju”. Ola dhe vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, njoftuan se dyshja aq shumë e dashur për të gjithë do të jetë pjesë e programeve në vijim.
Një nga momentet më emocionuese të programit ishte kur fëmijët e Mihallaq Andreas, Klaudia dhe Kristi, flasin për të atin. “Është e vështirë të flasësh për babin. Është prindi që do të donin të gjithë”, tha djali i tij ndër të tjera.
Këtë të hënë nuk mungoi as momenti kur Mihallaq Andrea u surprizua nga vëllai i tij Dhimitraq Andrea me anë të një lidhjeje direkte nga Greqia.
Në mbyllje u dha kënga “Vetëm një natë”, kompozuar nga Mihallaq Andrea dhe kënduar nga Endri, Stefi dhe Maria Prifti. Stefi kujtoi në studio se si erdhi bashkëpunimi me kompozitorin e njohur, për këtë këngë kaq shumë të pëlqyer. Ata ishin të ftuar së bashku në një televizion për regjistrimin e një prej programeve të Vitit të Ri, dhe Mihallaq Andrea ende pa filluar regjistrimi i propozoi Stefit se kishte një material gati për ta.
Stefi kujtoi se pasi e dëgjoi këngën, vendosi që ajo duhej të realizohej para festave dhe kështu ndodhi. Në një kohë rekord, sapo u kthyen në Tiranë, nisën punën në studion e Gent Myftarajt dhe kënga “Vetëm një natë” doli në YouTube më 21 dhjetor. Dhe brenda 10 ditësh arriti 140 mijë klikime.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb