Këngëtari Alban Skënderaj ka reaguar përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale lidhur me protestën qytetare, duke e cilësuar atë si një nga momentet më frymëzuese të 35 viteve të fundit në Shqipëri.

Sipas artistit, protesta përfaqëson një pasuri për shoqërinë dhe vendos një standard të ri për brezat që do të vijnë. Ai theksoi se, pavarësisht zhvillimeve që do të gjykohen nga historia me kalimin e kohës, lëvizja ka arritur tashmë një fitore të rëndësishme duke zgjuar një vetëdije qytetare që prej vitesh dukej e fjetur.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Për frymën, qytetarinë dhe pastërtinë e saj, e konsideroj një nga momentet më frymëzuese në këto 35 vite”, shkruan Skënderaj.

Këngëtari pranon se, si në çdo lëvizje të madhe shoqërore, ka individë apo grupe që përpiqen ta përdorin protestën për interesat e tyre, por thekson se forca e saj e vërtetë qëndron te qytetarët e zakonshëm, të cilët sipas tij veprojnë të shtyrë nga ndërgjegjja dhe dashuria për vendin.

Në reagimin e tij, ai u përgjigjet edhe kritikave se nuk ka folur mjaftueshëm për protestën, duke kujtuar se që nga dita e parë ka mbështetur transparencën, kërkimin e llogarisë dhe të drejtën e qytetarëve për t’u dëgjuar, qëndrime të cilat i ka shprehur publikisht dhe me praninë e tij në protestë.

“Dashuria për një vend apo ndershmëria e një njeriu nuk maten me numrin e postimeve”, shprehet ai, duke shtuar se secili kontribuon në shoqëri sipas natyrës dhe mënyrës së vet.

Skënderaj thekson se ai ka zgjedhur artin si formën e tij të komunikimit me publikun, duke përcjellë përmes muzikës mesazhe për dashurinë, dinjitetin, familjen, lirinë, shpresën dhe vlerat njerëzore.

“Unë nuk kam qenë kurrë njeriu që bërtet më fort në dhomë. Kam zgjedhur muzikën, poezinë dhe këngët për të folur me botën”, shkruan artisti, duke nënvizuar se gjatë gjithë karrierës së tij ka qëndruar besnik ndaj parimeve dhe bindjeve të tij, pavarësisht sfidave dhe tundimeve.

Reagimi i këngëtarit Alban Skënderaj

Protesta qytetare është pa diskutim pasuri për të gjithë. Ajo vendos një standard të ri për brezat që do të vijnë.

Përtej çdo debati, përtej çdo zhvillimi që historia do ta gjykojë me kohën e vet, unë besoj se kjo protestë tashmë ka arritur një fitore të madhe: ka zgjuar një vetëdije qytetare që për shumë vite dukej e fjetur.

Për frymën, qytetarinë dhe pastërtinë e saj, e konsideroj një nga momentet më frymëzuese në këto 35 vite.

Sigurisht që ka individë apo grupe që përpiqen ta përdorin për interesat e tyre. Kjo ndodh pothuajse në çdo lëvizje të madhe shoqërore. Por forca e saj e vërtetë nuk janë ata. Forca e saj janë njerëzit e zakonshëm. Njerëzit e ndershëm. Ata që nuk kanë as pushtet, as interesa, por vetëm ndërgjegjen dhe dashurinë për vendin e tyre.

Që nga dita e parë kam qenë në mbështetje të transparencës, të kërkimit të llogarisë dhe të së drejtës së qytetarëve për t’u dëgjuar. Këtë e kam shprehur publikisht, me postime në rrjetet mia sociale, me qëndrimet e mia dhe me praninë time në shesh.

Megjithatë, në ditët e fundit kam lexuar edhe akuza se nuk kam folur mjaftueshëm. Madje disa nuk janë fare të informuar për qëndrimet e mia. Pa folur pastaj për disa që mezi presin raste të tilla për hedhur vrerë mbi këdo por kjo pak rëndësi ka.

Nuk po e shkruaj këtë për t’u justifikuar, sepse nuk besoj se dashuria për një vend apo ndershmëria e një njeriu maten me numrin e postimeve. Por po e shkruaj sepse ndjej nevojën të ndaj disa mendime pikërisht me ata njerëz që më kanë ndjekur e vlerësuar ndër vite, dhe që ndoshta meritojnë të dëgjojnë edhe anën time.

Unë nuk kam qenë kurrë njeriu që bërtet më fort në dhomë.

Nuk kam qenë kurrë personi më frontal apo më i zhurmshëm. Ndoshta sepse kam zgjedhur një rrugë tjetër për të komunikuar me botën. Kam zgjedhur muzikën. Kam zgjedhur poezinë. Kam zgjedhur këngët.

Për disa njerëz ato janë thjesht këngë. Për mua kanë qenë gjithmonë mënyra ime e vetme për të folur për dashurinë, dinjitetin, familjen, lirinë, rrënjët, dinjitetin, shpresën, jetën.

Secili kontribuon sipas natyrës së vet. Dikush me fjalime. Dikush me aktivizëm. Dikush në shesh. Dikush në profesionin e tij. Dikush duke edukuar fëmijët e vet me vlera.

Unë jam munduar gjithmonë ta bëj përmes artit. Duke i ndejtur stoik dhe besnik parimeve të mia pa rënë pre e tundimeve e joshjeve jo të pakta!

Në rrugëtimin tim kam sakrifikuar dhe nuk jam dorëzuar, as nuk jam demotivuar kur shpeshherë projektorët nuk ishin mbi mua, kur bota më thoshte: ndrysho, shfrytëzo situatat, bëj si shumica.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb