Troye Sivan u shndërrua në një artist të suksesshëm muzikor në vitin 2014, kur albumi i tij i tretë “TRXYE” dhe kënga e parë e këtij incizimi, “Happy Little Pill”, u bënë hit anembanë botës dhe çdo publikim i mëpasshëm muzikor i tij, ka arritur sukses global.

Mirëpo Sivan nuk është i panjohur edhe në fushën e aktrimit, pasi i ka pasur disa role të vogla filmike në projekte të tilla si, “X-Men Origins: Wolverine” në vitin 2009 dhe drama “Boy Erased” e vitit 2018, ku e portretizoi një homoseksual i cili i mbijeton terapisë brutale të konvertimit seksual dhe ku ka luajtur krahas yllit të kinematografisë, Nicole Kidman.

Por, me komedinë e re dramatike, “Three Months”, Sivan e shënon debutimin si aktorë protagonist në Hollywood. Në këtë film, ai e portretizon Caleb Khanin, një nxënës i shkollës së mesme i cili është person i mërzitur, i vrullshëm por i ëmbël. Ai kupton se është HIV pozitiv dhe i duhet të pres tre muaj për t’i marrë rezultatet e testit për ta kuptuar saktësisht gjendjen e tij shëndetësore. Gjatë kësaj kohe, Caleb e gjen dashurinë në vendin më të papritur, një grup mbështetës për personat me HIV.

Në një intervistë të realizuar online, Troye Sivan tha se skenari i cili karakterizohet me humor të lehtë të krijuar nga momente të errëta, e ka bërë ta pranojë këtë rol i cili njëkohësisht e shënon debutimin e tij si aktore protagonist.

“Kur e pranova rolin, e dija se do të ishte një hap i madh për mua. Përveç nga ana profesionale po ashtu edhe në aspektin personal, e dini, thjeshtë ta kesh rolin e një udhëheqësi, të shkosh çdo ditë në punë dhe të jesh përgjegjës për gjithë filmin duke u siguruar që tregimi i tij të ketë kuptim për shikuesin. Kjo është diçka që nuk e kam bërë më parë, ose të paktën nuk e kam bërë këtu në Amerikë. Prandaj, po, ishte shumë presion por gjithashtu ishte një eksperiencë e bukur. Të gjithë më bënë të ndihem i sigurt dhe të duke qenë se po argëtoheshim shumë, dikur e harrova stresin dhe presionin që e kisha në fillim të xhirimeve”.

Përveç aktrimit, në këtë projekt Sivan po ashtu ka kontribuar në krijimin e dy këngëve origjinale që shërbejnë si kolonë zanore. Që të dyja këngët, “Trouble” dhe “Wait”, tashmë janë lansuar për publikun e gjerë.

Projekti i ardhshëm i Sivanin është seriali televiziv “The Idol”, ku luan edhe ylli kanadez i muzikës The Weeknd, dhe i cili pritet të debutojë kah fundi i këtij viti në kanalin HBO.

Filmi “Three Months” aktualisht është duke u shfaqur në “Paramount TV”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb