Pas atentatit në Rinas që tronditi Tiranën një ditë më parë, dhe la të vdekur Gilmando Danin e të plagosur mikun e tij, Muçi Shaljani, Kadri Voga, ish-shef policie dhe banor i fshatit Halil, ku u gjet makina e djegur e autorëve, ka reaguar me tone të forta ndaj institucioneve të rendit.

“Jam banor i këtij fshati dhe përfaqësues i këtij komuniteti. Jemi të keqardhur që mjeti i krimit u gjet në fshatin tonë, nuk duhet të kishte ndodhur”, shprehet ai.

Në një reagim nga fshati i tij, Voga u shpreh se ngjarja është një dështim i shtetit, duke theksuar se vrasja ndodhi në zonën më të sigurt të vendit, aeroportin e Rinasit, ndërkohë që policia nuk bëri asnjë lëvzje edhe pse komisariati është vetëm disa metra larg. Ai fajësoi strukturat e rendit për neglizhencë dhe lidhje me krimin, ndërsa kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme Albana Koçiu, drejtorit të Policisë së Tiranës dhe shefit të komisariatit të Rinasit.

Banori i fshatit Halil, Kadri Voga, ish-shef policie:

“Jam banor i këtij fshati dhe përfaqësues i këtij komuniteti. Jemi të keqardhur që mjeti i krimit u gjet në fshatin tonë, nuk duhet të kishte ndodhur. I shpreh ngushëllime familjes së viktimës dhe shërim të shpejtë të të plagosurit.

Shteti duhet të sigurojë jetën e qytetarëve. Si ka mundësi të ndodhë një vrasje në aeroportin e Rinasit ku janë me qindra punonjës policie dhe të mos reagojnë? Unë kam qenë specialist policie ata menjëherë duhet të jepnin sinjalin në Ministri, komisariatet dhe rretheve dhe të ngrinin postbolle, por i kanë lënë të lirë personat që kanë bërë vrasjen.

Kur nuk ka siguri në aeroportin ndërkombëtar, po nëpër fshatra ku është policia? Makina ka lëvizur lirshëm drejt Fushë Krujës ku ka trafik, por nuk është ndaluar nga askush, policia këtyre që janë me xhama të zinj u hapin rrugë, nuk i ndalojnë. Ne patëm rënë rehat, ish-shefi i qarkullimit Ilir Buda nuk lejonte makina me xhama të zinj në Fushë Krujë, nuk u bllokonte asnjëherë trafiku. Kam kërkuar që ai të vijë sërish në vendin e punë, por u intereson personave të lidhur me krimin që të mos vijë.

Kjo është një ngjarje e rëndë. Unë dëgjova në lajme dhe prisja që ministri i rendit të jepte dorëheqjen, drejtori i POlicisë së Tiranës të ikte, edhe shefi i komisariatit të policisë së Rinasit duhet të jepte dorëheqjen. Këta nuk duan t’ia dinë fare, zere sikur nuk ka ndodhur gjë. 80% e Policisë së Shtetit është e lidhur me krimin. Qytetarët të ruajnë veten, për policinë jeni të humbur…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb