Nëse shëndeti është pasqyra e një shoqërie, atëherë ushqimi që u japim fëmijëve është hapi më i rëndësishëm që mund të bëjmë. Sot, trupi i njeriut është bërë dëshmia më e drejtpërdrejtë e varfërisë, përpos varfërisë shpirtërore dhe mjerimit të përditshëm për shkak të pabarzive të thella sociale.
Tranzicioni politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë nga regjimi diktatorial drejt “demokracisë” së sotme, ka sjellë me vete një sërë ndryshimesh në shoqërinë tonë. Ky ndryshim, që në dukje duket radikal ka ardhur gradualisht duke pëmirësuar dhe përkeqësuar sektorë që lidhen drejtëpërdrejtë me jetën e qytetarëve. Përqëndrimi i të mirave materiale në kryeqytet ka sjellë si pasojë çrregullime urbanistike, institucionale dhe sociale. Ky mbipopullim urban është pasojë e logjikës kapitaliste të prodhimit ku forcat e punës përqendrohen në qytete, pa siguruar domosdoshmërisht kushte të dinjitetshme jetese për qytetarët.
Tirana, sipas turistëve është “kryeqyteti i Europës” në të cilin gjithkush do donte të jetonte, por në Bashkinë Tiranë sipas “Cens 2023” banojnë afro 700 mijë banorë dhe për fëmijët e kësaj bashkie nuk ka mjaftueshëm shkolla për shkak të tërmetit katastrofik të 2019-ës.
Papërgjgjshmëria që është treguar me rindërtimin e shkollave dhe mundësimin e kushteve cilësore për fëmijët, nxënësit dhe studentët ka sjellë një zinxhir problematikash përsa i përket institucioneve arsimore. Jo pak herë kemi dëgjuar e lexuar lajme për helmime kolektive në çerdhe apo shkolla, ku shkak kanë qenë ushqimet e pakontrolluara.
Ushqyerja është një nga shtyllat themelore të shëndetit dhe zhvillimit të individit gjatë gjithë jetës së tij, që në lindje, gjatë foshnjërisë, fëmijërisë, adoleshencës, në moshë të rritur dhe deri në pleqëri. Një ushqyerje e mirë përkthehet në nxënie më të mirë.
Gjatë vitit 2023 Kontrolli i Lartë i Shtetit bëri një inspektim në 201 subjekte të çerdheve dhe kopshteve dhe sipas KLSH, 81 çerdhe e kopshte private në vend kanë rezultuar se ushtronin veprimtari pa licencën dhe dokumentet përkatëse. Ky fakt i servirur ftohtë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit duket se është injoruar totalisht nga institucionet duke i lënë tenderat të merren nga kompani të “kriminalizuara”.
Ushqyerja është një nga faktorët kryesorë që ndikon në shëndetin e një individi, sidomos gjatë moshës shkollore, me qëllim që fëmija të rritet e zhvillohet mirë dhe të sigurojë shëndet dhe jetëgjatësi sa më të mirë.
Me anë të një kërkese për informacion, Ministria e Arsimit dhe Sportit u shpreh se për vitin shkollor 2024-2025, numri gjithsej i shkollave të arsimit bazë dhe të mesëm të lartë, gjimnaze apo shkolla të mesme të orientuara si në sistemin publik ashtu edhe në atë privat, është 1339. Kaq shumë shkolla, por a keni menduar ndonjëherë me çfarë ushqehen këta fëmijë?
Sipas Institutit të shëndetit publik për periudhën kohore 2021 shtator 2025, janë identifikuar 2 shpërthime me shkaktar etiologjik “Salmoneloza spp” i cili është një bakter që zakonisht gjendet në ushqime të kontaminuara, veçanërisht vezë, mish pule, produkte qumështi etj.
“Këto janë raste të bëra publike të kequshqyerjes dhe copëzimit të strukturave që merren me tenderimin e kompanive që prodhojnë ushqimet, i importojnë ato dhe i shpërndajnë nëpër shkolla.”- thuhet në përgjigjen zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik.
Në Tiranë, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike janë 157 shkolla të arsimit bazë, 18 shkolla të arsimit të mesëm të lartë, si dhe 14 objekte shkollore janë shkolla të mesme të bashkuara të cilat përfshijnë brenda tyre arsimin bazë dhe të mesëm të lartë. Pavarësisht përqëndrimit më të madh të popullsisë dhe buxhetit më të lartë, në Tiranë nisma “Ushqimi në shkolla” për të gjitha shkollat është në fazën e diskutimit me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Këtë e konfirmon me anë të një përgjigjeje për të drejtën e informimit Drejtoria e Politikave Lokale Arsimore. Kjo situatë çon në paqartësi për të gjithë prindërit teksa vendosin se ku do t’i dërgojë fëmijët për të marrë dije. Gjatë viteve 2021 e në vazhdim në mensat e shkollave dhe kopshteve janë kryer 6247 inspektime. Në kontrolleve të kryera masat që janë marrë në rast të shkeljeve të kërkesave ligjore siç është masa me paralajmërim në 328 raste për mangësi të një rëndësie të vogël si rinovim librezash shëndetësore dhe analizash uji, sistemim ambientesh etj.
Por a e kanë sjellë masat uljen e rasteve të helmimeve kolektive apo papërgjegjshmëria institucionale do shtyjë përpara të njëjtat praktika abuzive me tenderat dhe kontraktorë të papërgjegjshëm? Në 11 raste janë marrë masa me gjobë për arsye si ushqim i pasigurt por në një shtet të së drejtës të gjitha hallkat do të duhej të funksiononin me përgjegjshmërinë maksimale, sidomos për shpërndarje të ushqimeve cilësore.
A mund të themi që një ushqyerje e mirë do të thotë nxënie më e mirë në shkollë?
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik që është një nga pesë vëllimet që prezantojnë rezultatet e raundit të tetë të vlerësimit të PISA-s dhe nga të dhënat e mbledhura nga testimi i zhvilluar në vitin 2022 që kanë dalë nga testi i PISA-s, nxënësit shqiptarë, 15-vjeçarët, u pozicionuan në vendin e 64-t sa i përket aftësisë për të menduar në mënyrë krijuese.
Ka disa raste si në Elbasan, në Tiranë apo edhe rastet e shpërthimit në Gramsh, nga investigimet epidemiologjike të kryera, hipoteza më e mundshme lidhet me konsumimin e përbashkët të ushqimit jocilësor nga fëmijët e prekur. Kjo hipotezë mbështetet në analizën e menusë ditore dhe të ushqimeve të konsumuara, ku identifikohen si të përbashkëta veza, mishi i pulës dhe qumështi të cilat mund të kenë qenë të kontaminuara ose të përgatitura në kushte jo të përshtatshme higjieno-sanitare.
Ka mjaft arsye përse një fëmijë apo i rritur mund të vlerësohet i kequshqyer apo i nënushqyer; njëra ndër to është varfëria. Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë përsa i përket mirëqenies. Në Shqipëri, 41.8% e popullsisë urbane është e rrezikuar nga varfëria, të ardhura nën 60% të mesatares kombëtare. Në Shqipëri për vitin 2024, 40.5% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social, sipas të dhënave që u publikuan së fundmi nga INSTAT.
Prindërit duhet të kërkojnë llogari ndaj institutcioneve arsimore në të cilat edukohen fëmijët e tyre, për t’u mundësuar atyre jo vetëm dije por edhe ushqim cilësor. Institucionet, veçanërisht ato arsimore duhet të jenë shumë të kujdesshëm për ushqimet që fusin nëpër menutë ditore dhe javore për të mos kequshqyer riinë e vendit, por edhe për t’a ndërgjegjësuar sesi të ushqehet shëndetshëm.
“Ky artikull është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit ‘Mbështetje për edukimin mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri’, i cili po zbatohet nga Qendra për Ekselencë Destiny dhe Qendra TEAM. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.”
