Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka mbajtur fjalën e saj në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme ligjore për garantimin e sigurisë ushqimore në vend.

Xhixho theksoi se siguria ushqimore është një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së shëndetit publik dhe e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare. Sipas saj, rritja e rasteve me ndotës kimikë, biologjikë dhe metalikë në produktet ushqimore vendase dhe të importit ka krijuar një situatë alarmante për qytetarët shqiptarë.

Ajo nënvizoi se produktet shqiptare të refuzuara nga vendet e Bashkimit Europian janë vetëm “maja e ajsbergut”, pasi shumë prej tyre përfundojnë në tregun vendas dhe konsumohen pa asnjë garanci sigurie.

Deklarata e Xhixhos

Siguria ushqimore/ Argumentet për ndryshimin e ligjit
1. Nevoja për ndërhyrje ligjore
Siguria ushqimore përbën një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së shëndetit publik dhe të sigurisë kombëtare. Rritja e vazhdueshme e rasteve të evidentuara me ndotës kimikë dhe biologjikë në produktet ushqimore, si në prodhimin vendas ashtu edhe në import, ka krijuar një situatë alarmante që kërkon ndërhyrje urgjente ligjore dhe institucionale.
Produktet shqiptare që bllokohen, kthehen ose asgjësohen në vendet ku eksportohen janë vetëm maja e ajsbergut. Ato përfaqësojnë sinjalin alarmues që vjen nga autoritetet e huaja për cilësinë e produkteve që prodhohen në Shqipëri dhe që, për fat të keq, konsumohen çdo ditë nga qytetarët shqiptarë.
Në shumë raste, produktet e refuzuara nga tregjet ndërkombëtare përfundojnë në tregun vendas, duke rritur rrezikun për shëndetin e konsumatorëve dhe duke treguar dobësi serioze të mekanizmave të kontrollit ushqimor.

Në 2 vitet e fundit janë raportuar dhjetëra raste me produkte të kontaminuara dhe të rrezikshme për shëndetin publik. Ndër rastet më të rëndësishme të evidentuara janë:
• Refuzimi nga Kroacia i eksportit të specave shqiptarë për shkak të niveleve të larta të pesticideve
• Mandarinat e kontaminuara të refuzuara nga Bashkimi Europian që përfunduan në tregun vendas
• Konstatimi i luleshtrydheve me pesticide të ndaluara
• Evidentimi në tregun shqiptar i peshkut të infektuar me parazitin Anisakis
• Konstatimi i mishit të derrit dhe pulës të kontaminuar me salmonelë
• Zbulimi i akulloreve me përmbajtje të oksidit të etilenit me rrezik kancerogjen
• Bllokimi i pjeshkëve shqiptare nga Kroacia për shkak të niveleve të larta të nikelit
• Prania e arsenikut te buka, raportuar në media vetëm pak ditë më parë

Prania e ndotësve biologjikë, kimikë dhe metalikë në zinxhirin ushqimor, përfshirë mykotoksinat në ushqimin për kafshë dhe produktet e bulmetit, përbën një kërcënim serioz për shëndetin e popullsisë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme rregullatore.

2. Mangësitë e legjislacionit aktual
Aktualisht, fusha e sigurisë ushqimore rregullohet nga Ligji për Ushqimin dhe Ligji për Kontrollin Zyrtar të Produkteve Ushqimore. Megjithatë, këto ligje kanë krijuar boshllëqe të rëndësishme në garantimin e kontrollit paraprak të produkteve përpara daljes në treg apo eksportit.
Situata u përkeqësua më tej pas akteve normative të miratuara pas vitit 2017, të cilat hoqën detyrimin për kontroll analitik të detyrueshëm për produktet ushqimore vendase dhe ato të importit. Si pasojë, ndotës të rrezikshëm janë konstatuar vetëm pasi produktet kanë hyrë në treg dhe janë konsumuar nga qytetarët.
Rastet e evidentuara me salmonelë në produkte mishi apo prania e pesticideve dhe metaleve të rënda në produkte bujqësore janë tregues të drejtpërdrejtë të dobësimit të mekanizmave mbrojtës.

3. Përputhshmëria me kërkesat e Bashkimit Europian
Progres Raporti i Bashkimit Europian për vitin 2025 evidenton se sistemi shqiptar i kontrollit zyrtar të ushqimit mbetet i papërputhur me rregulloret europiane dhe se vendi ende nuk zbaton plotësisht metodat e vlefshme për identifikimin e ndotësve në produktet ushqimore.
Projektligji synon të mbyllë këtë vakum ligjor duke realizuar përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian, në kuadër të Kapitullit 12 të negociatave, që lidhet me sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe mbrojtjen fitosanitare.

4. Forcimi i sistemit të kontrollit laboratorik
Një element thelbësor i projektligjit është vendosja e detyrimit ligjor për akreditimin dhe certifikimin e laboratorëve që kryejnë analiza ushqimore. Projektligji parashikon që çdo laborator publik apo privat që kryen kontrolle analitike të produkteve ushqimore duhet të jetë i akredituar sipas standardit europian ISO 17025. Kryerja e analizave pa akreditim ndalohet, duke garantuar përdorimin e metodave të vlefshme dhe të njohura ndërkombëtarisht. Një kërkesë e tillë parashtrohet edhe progres raportin e BE, ku konstatohet se “Shqipëria ende nuk ka zbatim të metodave të vlefshme për përcaktimin e ndotësve në produktet e saj ushqimore” dhe kërkon akreditim te institucioneve që duhet të aplikojnë këto metoda.

Kjo nuk mund të lihet si diçka fakultative, pasi askush nuk ka të drejtë të kryejë kontrolle analitike pa qenë i akredituar dhe i certifikuar.

Kjo masë rrit besueshmërinë e sistemit të kontrollit ushqimor dhe rikthen kredibilitetin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

5. Ndikimi ekonomik dhe reputacioni i produkteve shqiptare
Refuzimi sistematik i produkteve shqiptare në tregjet e huaja ka shkaktuar humbje ekonomike dhe dëmtim të reputacionit të prodhimit vendas. Humbja e besueshmërisë në tregjet ndërkombëtare është një dëm afatgjatë që lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e sistemit të gjurmueshmërisë dhe kontrollit ushqimor.

6. Kontributi në procesin e integrimit europian
Projektligji realizon transpozimin e direktivave të Bashkimit Europian në fushën e sigurisë ushqimore dhe kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.

7. Përgjegjësia ndaj konsumatorit shqiptar
Siguria ushqimore është një detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve. Rritja e rasteve me produkte të kontaminuara ka krijuar pasiguri dhe shqetësim publik. Miratimi i këtij projektligji synon të rikthejë besimin e konsumatorëve dhe të garantojë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe të fëmijëve shqiptarë.
Partia e Lirisë do të bëjë të gjitha përpjekjet institucionale për të garantuar sigurinë e ushqimit që shqiptarët vënë sot në tryezë.

Produktet në tregje sot kontrollohen në mënyrë sporadike. Qytetarët konsumojnë ushqime pa garanci, ndërsa vendet e BE-së i refuzojnë eksportet tona për mungesë standardesh.

Siguria ushqimore është siguri kombëtare. Shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund të sakrifikohet për mungesë vullneti politik. Ndaj ftoj kolegët e maxhorancës ta mbështesin!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb