Në një kohë kur vendi është përfshirë nga protestat, Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me email-in kërcënues që mbërriti sot në disa institucione, ku pretendohej se do të vendoseshin lëndë shpërthyese dhe do të kryheshin akte terroriste.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi elektronik është dërguar nga një adresë që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Policia bën të ditur se mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur kërcënime të ngjashme janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, të cilat u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
Strukturat e Policisë së Shtetit po vijojnë verifikimet dhe veprimet hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.
Deri në këtë fazë, hetimet nuk kanë përcaktuar ende autorët e kërcënimit dhe nëse ai është i besueshëm.
