Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, foli për herë të parë për përplasjen e ashpër mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë konferencës për shtyp me homologun austriak, Wolfgang Sobotka, Ruçi u pyet nëse kjo përplasje mund të rrezikojë negociatat e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas kreut të Kuvendit, si Presidenti, edhe kryeministri, kanë të drejtë në vendimet që marrin, duke thënë se edhe kthimi i dy dekreteve të fundit nga Meta do të shqyrtohet me kujdes nga Kuvendi.

Referuar deklaratës së Presidentit Meta se nëse qeveria nuk merr parasysh dekretin e tij për ndryshimet në ligjin për betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pas 15 marsit do të shkojë në Parlament dhe do të firmosë aty brenda shpërndarjen e institucionit ligjvënës, Ruçi tha në mënyrë të koduar se Meta e ka derën të hapur dhe se e mirëpret sa herë të dojë të vizitojë Parlamentin.

“Si kryetar i parlamentit them se kemi në fokus hapjen e negociatave, reformën në drejtësi dhe transparencë për fondet e Konferencës së Donatorëve. Secili institucion është legjitim në vendimet që merr, edhe presidenti në dekretet që miraton ose kthen. I tillë është edhe me dy dekretet e fundit, që Kuvendi do t’i shqyrtojë me kujdes, brenda afateve. Mirëpres Presidentin sa herë që ai dëshiron të vizitojë parlamentin. Ose do të mirëprisja apo lexoja çdo mesazh që ai do t’i drejtonte me shkrim parlamentit”, tha Ruçi.

Kriza Meta-Rama a rrezikon negociatat?
Austriaku: Ka dyshim që sa i përket procesit të integrimit është e nevojshme të ketë përfaqësim të unifikuar. Mesa jam në dijeni unë kjo është bërë me përpjekje maksimale që në janar, ku janë bërë ca marrëveshje. Problemet mes qeverisë dhe opozitës i kanë të gjitha shtetet, por kur bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kombëtare patjetër që të dyja palët do gjejnë rrugën e duhur, ashtu siç shpresoj se do e gjejnë edhe në Shqipëri. Parlamentet janë vende dialogu, edhe ngrihen zërat, por e rëndësishme është të mos cenohen të drejtat parlamentare.

Keni diskutuar me Metën për këtë përplasje?
Austriaku: Sot kam takim edhe me presidentin. Është traditë e mirë që kur ke këndvështrime të ndryshme të ulesh dhe t’i diskutosh ato dhe të gjesh një zgjidhje të mirë për njerëzit. Ne si politikanë duhet të kemi vetëm një synim të qartë: përmirësimi i standardeve të atyre që na kanë zgjedhur. Gjithçka duhet bazuar në Kushtetutë dhe te rruga e përbashkët me baza dhe pikëpamje demokratike. Populli është sovran dhe ai zgjedh përfaqësuesit e tij në Parlament. Kjo gjë duhet pasur gjithmonë parasysh dhe atëherë do të gjendet një zgjidhje e përbashkët. Nëse konfliktet bëhen publike, askush s’ka të mira.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb