Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë pas një incidenti të ndodhur në një studio muzikore. Gjesti është shpallur fajtor për veprat penale të armëmbajtjes pa leje, kanosjes dhe dëmtimit të pasurisë. Gjykata ka vendosur ndaj tij dënimin me 2 vite burgim me kusht, si dhe një gjobë në vlerën totale prej 6 mijë eurosh.

Sipas çështjes së trajtuar nga gjykata, këngëtari kishte hyrë i armatosur në një studio muzikore, ku dyshohet se kishte kërcënuar pronarin e saj. Ngjarja kishte ardhur pas një konflikti mes palëve lidhur me çështje të të drejtave muzikore dhe një kontrate.

Për veprën e kanosjes, gjykata ka caktuar dënimin prej dy vitesh burgim me kusht. Ndërkohë, për dëmtimin e pasurisë është vendosur një gjobë prej 3 mijë eurosh, ndërsa për armëmbajtjen pa leje një tjetër gjobë prej 3 mijë eurosh.

Dënimi me burgim është me kusht, që do të thotë se ai nuk do të vuhet në qeli nëse Gjesti nuk kryen një tjetër vepër penale gjatë periudhës së provës.

Pas vendimit, këngëtari i shpëton kështu burgimit efektiv, ndërsa duhet të shlyejë edhe gjobën prej 6 mijë eurosh të vendosur nga gjykata.

Gjesti është një prej artistëve më të njohur kosovarë për publikun shqiptar, ndërsa popullariteti i tij u rrit ndjeshëm pas pjesëmarrjes në “Big Brother VIP Albania”, ku u shpall fitues.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: