Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka reaguar pas shkresës së SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Belinda Ballukut, ndaj të cilës janë ngritur edhe 7 akuza të tjera për abuzime me tenderat e Unazës së Madhe, krahas tunelit të Llogarasë.

Në një deklaratë, Këlliçi shprehet se “Kuvendi duhet t’i heqë imunitetin kësaj kleptomaneje ekzemplare”, duke shtuar se dorëheqja e kryeministrit Rama është një akt i domosdoshëm.

“Kuvendi i Shqipërisë sigurisht që duhet t’i heqë imunitetin kësaj kleptomaneje ekzemplare, të cilën e rivalizon vetëm Edi Rama! Por edhe kjo nuk mjafton. Dorëheqja e Edi Ramës sot është një akt i domosdoshëm, urgjent, i pashmangshëm dhe madje i vonuar. Manovrat e tij politike, mediatike apo institucionale për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët kanë marrë fund”, shkruan Këlliçi.

Reagimi i Këlliçit
E pandehura Belinda Balluku!
Prokuroria e Posaçme sot i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, deputetes Belinda Balluku, për të bërë të mundur arrestimin e saj.
Nuk ka më asnjë alibi!
Kuvendi i Shqipërisë sigurisht që duhet t’i heqë imunitetin kësaj kleptomaneje ekzemplare, të cilën e rivalizon vetëm Edi Rama!
Por edhe kjo nuk mjafton.
Dorëheqja e Edi Ramës sot është një akt i domosdoshëm, urgjent, i pashmangshëm dhe madje i vonuar.
Manovrat e tij politike, mediatike apo institucionale për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët kanë marrë fund.
Pas dorëheqjes duhet të vijë një proces i gjatë reflektimi shtetëror e shoqëror, se si kjo bandë kriminale dhe Grup i Strukturuar Kriminal arriti deri në majat e shtetit.
Hapi i radhës, pashmangshmërisht duhet të jetë krijimi i kushteve për zgjedhje të lira ku shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre.
Nuk ka zgjedhje e aq më pak anëtarësim në BE me Edi Ramën dhe klikën e tij të kriminalizuar!
Çdo shqiptar sot duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë realitet dhe të ushtrojë të gjithë forcën e vullnetit të tij për një Shqipëri të lirë nga krimi i ndërthurur pistë me korrupsionin.
Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër.
Kjo është një luftë pa kthim për demokracinë, për të ardhmen e vendit tonë, për Shqipërinë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb