Ish-kryeprokurorja Elisabeta Imeraj, e ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me situatën rreth kërkesës për arrestimin e Arben Ahmetajt.

Imeraj komentoi deklaratën e avokatëve të Ahmetajt, të cilët njoftuan më herët se klienti i tyre nuk gjendet në Shqipëri momentalisht, duke thënë se ky veprim nuk duhet të paragjykohet.

Sipas saj njohja me dosjen është procedurale dhe se mbrojtësit e tij ligjorë kanë të drejtë të kenë dijeni për aktet që prokuroria pretendon se ka dyshime.

Sakaq, ajo u shpreh se hetimi për Ahmetajn nuk ka përfunduar dhe se akuzat deri më tani janë specifikisht për veprimet individuale të Ahmetajt dhe jo për lidhjen e tij me inceneratorët.

“Nuk mund ta paragjykojmë veprimin e Ahmetajt të përfaqësuar nga avokatë të tij, sa kohë njohja me dosjen është procedurale. Nuk duhet ta paragjykojmë që ishte për efekte të fitimit të kohës. Nëse e marrim në aspektin e mbrojtjes efektive, mbrojtësit kanë të drejtë të kenë dijeni për aktet që prokuroria pretendon që ka dyshime të bazuar në prova që lejon kërkesën për arrestimin e subjektit të dyshuar.

Në rangun e hetimit, ai vijon edhe në mungesë deri në përfundim ku konkludohet që ka një bazë të mjaftueshme për të komunikuar akuzën.

Korrupsioni pasiv në 6 raste ka të bëjë me përfitime të marra në mënyrë indirekte të Ahmetajt nga personazhe në gjykim tanimë për inceneratorët. Pastrimi i parave më tej është një akuzë individuale për Ahmetajn. Nuk shohim një hetim konkret për inceneratorët. Hetimet janë specifikisht për veprimet e Ahmetajt dhe jo lidhjen e tij me aferën. Megjithatë hetimet nuk kanë përfunduar”, u shpreh ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb