Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e News24, ka komentuar kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, me qëllim autorizimin e arrestimit të saj, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi raportin e pushtetit me drejtësinë.

Sipas Lubonjës, duke pasur parasysh mënyrën se si Rama e ka trajtuar drejtësinë e re, si “një fëmijë që nuk është rritur”, pritej që ai të ushtronte presion për të penguar një hap të tillë nga SPAK. Analisti ngre pyetjen se nga buron “guximi” i Prokurorisë së Posaçme, duke e lidhur atë me profesionalizmin dhe ndershmërinë e disa prokurorëve, por edhe me mbështetjen ndërkombëtare.

Ai theksoi se kryeministri është fokusuar te procedurat, nëse dikush duhet të futet apo jo në burg, por ka shmangur, sipas tij, thelbin e skandalit që ndodhet në dosje. “Janë 50 milionë euro që shkojnë drejt të pandehurve me bekimin tënd. Për këtë nuk ka asnjë qëndrim”, u shpreh Lubonja, duke shtuar se Rama jo vetëm që duhet të kërkonte dorëheqjen e Ballukut, por edhe të merrte përgjegjësi personale.

Lubonja hodhi gjithashtu hipotezën se kryeministri mund të jetë duke bërë “teatër politik”, duke e lënë tashmë Ballukun, por duke u justifikuar publikisht me drejtësinë. Megjithatë, ai e cilësoi më të dobët këtë skenar, duke shprehur bindjen se Rama nuk do të donte ta lëshonte Ballukun, por është i penguar nga rrethana dhe forca më të mëdha.

Analisti foli edhe për një përplasje mes institucioneve, duke e cilësuar situatën si jashtë kontrollit, me korrupsion, përgjime, banda dhe skandale të njëpasnjëshme. “Zullumi është derdhur”, tha ai, duke shtuar se priten zhvillime të reja.

Në lidhje me rolin e Gjykatës Kushtetuese, Lubonja u shpreh kritik, duke deklaruar se ajo “lau duart” nga vendimi i nxehtë, duke e shtyrë çështjen për më 22 janar. Sipas tij, kjo solli një kundërpërgjigje nga SPAK, i cili kërkoi arrestimin, ndërsa vendimmarrja tani pritet nga Kuvendi.

Sipas Lubonjës, nëse Kuvendi nuk voton heqjen e imunitetit të Ballukut, kryeministri Rama “heq maskën”, duke i dhënë një goditje të fortë drejtësisë dhe duke humbur legjitimitetin, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht. Ai paralajmëroi se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda për imazhin e Shqipërisë dhe besimin publik, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment kritik dhe me zhvillime të pritshme në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb