Gjashtë persona të kërkuar në Firence për trafik droge dhe krijim të organizatave kriminale janë arrestuar në Durrës. Policia bën me dije se ata janë ndaluar pas operacionit të koduar “Ricarica 2013”.

Sipas Policisë, në arrest për llogari të drejtësisë italiane janë vënë shtetasit Kastriot Dyrmyshi, 32 vjeç, Artur Tepshi, 49 vjeç, Edmond Tepshi, 52 vjeç, Laert Teneqexhi, 25 vjeç, futbollisti i Kastriotit Guido Tepshi, 24 vjeç, si dhe Luan Tepshi, 46 vjeç. Mësohet se të arrestuarit akuzohen në Itali për “krijim të organizatave kriminale” dhe “trafikim të lëndëve narkotike”.

Rrjeti u godit pas mbërritjes së urdhër­arresteve të lëshuara nga Gjykata e Firences në Itali, më datë 23 mars të këtij viti. Operacioni për kapjen e tyre është organizuar nga Sektori për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe zyrën e Interpol Tiranës. Burime nga policia lokale bënë me dije se katër prej të arrestuarve kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Të arrestuarit kanë aktivitete në fushën e ndërtimit, peshkimit, karburanteve, etj.

Burime zyrtare nga Policia e Durrësit sqarojnë se ndaj gjashtë të arrestuarve për llogari të drejtësisë italiane ka nisur edhe hetim pasuror, me dyshimin se mund t’i kenë ngritur këto aktivitete përmes parave të fituara nga trafiku i kokainës. Policia e qytetit bregdetar ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hetimin pasuror për shtetasit e sipërpërëndur. “Ndaj shtetasve të mësipërm, janë lëshuar Urdhër Arresti nga Gjykata e Firences, Nr.8245/13 RGNR­7952/14 RG GIP DT.23.03.2015″­ njofton policia.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: