Studentët kanë nisur protestën e radhës kombëtare ditën e sotme, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Pas më shumë se 150 ditësh protestë dhe rezistence, lëvizja studentore ka vendosur të intensifikojë aksionin e saj, duke kaluar në një strategji të re organizimi me dy protesta kombëtare në javë.
Sipas njoftimit të publikuar nga organizatorët, protestat do të zhvillohen çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë, 14:00. Ky vendim synon të mbajë gjallë mobilizimin studentor dhe të rrisë presionin ndaj qeverisë për plotësimin e kërkesave të tyre. Në qendër të qëndrimit të studentëve vijon të jetë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilën ata e konsiderojnë të panegociueshme. Organizatorët shprehen se, pavarësisht protestave të zhvilluara prej muajsh, deri më tani nuk kanë marrë përgjigjen që kërkojnë nga qeveria.
Në deklaratën e tyre, studentët theksojnë se janë të përgatitur për një betejë të gjatë dhe se faza e re e organizimit synon të krijojë një lëvizje më të qëndrueshme dhe më të fuqishme.
Ndërkohë, bojkoti i procesit mësimor është duke vijuar.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjet për dialog me studentët protestues, duke shprehur gatishmërinë për komunikim. Megjithatë, deri më tani kjo ofertë nuk ka sjellë ndryshim në qëndrimin e protestuesve, të cilët vijojnë të këmbëngulin se dorëheqja e kryeministrit është kërkesa e tyre kryesore.
Në mbështetje të studentëve janë rreshtuar edhe pedagogë dhe qytetarë, të cilët kanë shprehur solidaritet me kauzën e tyre.
Strategji e re, dy protesta kombëtare në javë
Në njoftimin e tyre, grupimi “Studentët n’protestë” bëri të ditur se vendimi për të zhvilluar dy protesta kombëtare në javë vjen pas një periudhe të gjatë qëndrese dhe synon t’u japë studentëve dhe mbështetësve mundësinë për të qenë më të organizuar.
Organizatorët kanë deklaruar gjithashtu se do të vijojnë të mbështesin edhe protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, pavarësisht kohës dhe vendit ku ato organizohen.
Protesta e sotme pritet të jetë një tjetër moment i rëndësishëm për lëvizjen studentore, ndërsa mbetet për t’u parë se sa do të jetë pjesëmarrja dhe nëse tubimi do të shoqërohet me marshime apo forma të tjera reagimi.
Studentët u kanë bërë thirrje të gjithë të rinjve dhe qytetarëve që mbështesin kauzën e tyre t’u bashkohen në protestën e sotme, e cila nis në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë.
