Juventusi përgatitet për një mision pothuajse të pamundur: të përmbysë humbjen 5-2 ndaj Galatasarayt në ndeshjen e kthimit, për të siguruar kalimin mes 16 skuadrave më të mira të kontinentit. Shpresa e bardhezinjve lidhet me rikthimin e dy pikave kyçe të formacionit, Gleison Bremer në mbrojtje dhe Kenan Yildiz në sulm. Të dy po ndjekin terapi intensive në Continassa dhe ka optimizëm të kujdesshëm që mund të jenë të paktën në pankinë për sfidën vendimtare të së mërkurës.

Bremer u detyrua të largohej nga fusha në Stamboll për një shqetësim muskulor, por pa dëmtime serioze, ndërsa Yildiz po rikuperohet nga një goditje në pulpë. Rikthimi i tyre do t’i jepte më shumë alternativa trajnerit Luciano Spalletti në një ndeshje që vlen sezonin – dhe ndoshta edhe të ardhmen e projektit.

Por kalendari nuk fal: të dielën Juventusi përballet me Romën në një duel direkt për zonën Champions. Një javë vendimtare, mes Evropës dhe kampionatit.

Ndërkohë, klubi po mendon edhe për stabilitetin afatgjatë. Pas rinovimit të Yildizit deri në vitin 2030, shumë pranë firmës është edhe Weston McKennie. Mesfushori amerikan, një nga më të përdorurit dhe më të besueshmit e skuadrës, pritet të zgjasë kontratën deri në vitin 2030, duke konfirmuar rolin e tij qendror në projektin bardhezi.

Në një moment delikat me tre humbje radhazi, Juventusi kërkon reagim në fushë dhe siguri për të ardhmen. Sfida me Galatasarayn do të tregojë nëse përmbysja është ende e mundur – apo nëse fokusi do të zhvendoset përfundimisht te gara për Champions.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb