Gazetari Erl Murati ka folur për sulmin ndaj televizionit News24, që prej gjashtë ditësh nuk po mund të transmetojë pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të tjera. Në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, Murati tha se ndonëse ka një vendim gjykate që lejon aksesin në një nga godinat e nevojshme për transmetim, policia nuk ka lejuar gazetarët dhe punonjësit e medias të hyjnë brenda.
Sipas tij, kompania shtetërore KAYO nuk synon të marrë thjesht godinën, por ka për qëllim të bllokojë të gjithë grupin mediatik. “Ka një qëllim të pastër nga pushteti për të shuar zërin e News24. Ky televizion ka fituar besueshmërinë e shqiptarëve që prej vitit 2002. Në protesta, në mbrojtje të banorëve, ne kemi qenë aty për t’i dhënë zë të vërtetës,” u shpreh Murati.
Ai theksoi se News24 nuk ka pasur kurrë mision politik për të rrëzuar qeveri apo për të reformuar opozitën, por për të raportuar me profesionalizëm dhe paanshmëri.
Murati shprehu keqardhje që mbyllja e News24 nuk dëmton vetëm gazetarët e tij, por publikun. “Disa të vërteta i ka thënë vetëm News24, disa protesta i ka mbuluar vetëm Osman Stafa, disa banda kriminale i ka denoncuar vetëm Klod Lala. Nuk po kërkojmë medalje, por këto janë fakte,” përfundoi ai.
“KAYO nuk ka qëllim të marrë godinën por ka qëllim të bllokojë të gjithë grupin mediatik. Ka një qëllim të pasër nga pushteti për të shuar zërin e News24. Ky televizion ka besnikërinë e shqiptarëve dhe besueshmërinë e shqiptarëve qëkur lindi në vitin 2002. Në javët e fundit, muajt dhe vitet e fundit ka qenë një sjellje konstante e News24 dhe të vërtetat janë thënë. Në sa protesta ka qenë mikrofoni i News24 dhe joi mediave të tjera, kemi qenë në krah të banorëve për t’u dhënë mbështetje dhe për të qenë në anën e tyre. Nuk është detyrë e News24 që të rrëzojë qeverinë dhe të bëhet radikal, por të jetë i ftohtë dhe të raportojë. Një herë në 2 vite ti voton dhe nuk është detyra jonë të rrëzojmë qeveri dhe të reformojmë opozita, por detyra jonë është të jemi të ftohtë siç kemi qenë. Me keqardhje e them se me mbylljen e News24, pa bërë patetizma, nuk kanë humbur vetëm gazetarët e News24, ka humbur publiku, disa të vërteta i ka thënë vetëm News24, disa protesta i ka mbuluar vetëm Osman Stafa, disa banda kriminale i ka përmendur Klod Lala. Nuk po kërkojmë medalje, por janë mjaft gjëra që i ka bërë vetëm News24. Ndoshta dikush thotë e meritoni këtë se nuk i keni bërë opozitë Edi Ramës. Nuk është detyra jonë t’i bëjmë opozitë Edi Ramës, është detyrë e Sali Berishës. Ne kemi detyrimin të bëjmë pasqyrimin me profesionalizëm”, tha ai.
