Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka miratuar planet për një sulm të mundshëm ndaj Iranit, sipas burimeve të CBS News.
Megjithatë, Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar, duke shtyrë veprimin në pritje të ndonjë tërheqjeje të mundshme nga ana e Iranit lidhur me programin e tij bërthamor.
Sipas raportimeve, objektivi kryesor i mundshëm i një sulmi është objekti nëndheshëm për pasurimin e uraniumit në Fordo. Trump ka kërkuar “dorëzim të pakushtëzuar” nga Irani, kërkesë që është refuzuar hapur nga lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei.
“Ndërhyrja ushtarake nga SHBA do t’i kushtojë shumë,” deklaroi Khamenei, duke theksuar se populli iranian nuk do të dorëzohet.
Trump, në një deklaratë të mërkurën, u shpreh: “Mund ta bëj, mund të mos e bëj”, ndërsa më pas shtoi: “Askush nuk e di çfarë do të bëj unë.”
Përplasja verbale dhe sulmet në terren
Pas refuzimit të Iranit, Trump u përgjigj shkurt: “Fat të mbarë.” Ndërkohë, Wall Street Journal ishte ndër mediat e para që raportoi për planet e miratuara nga Trump.
Ndërkohë, Izraeli ka intensifikuar sulmet ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore në Iran. Si kundërpërgjigje, Irani ka lëshuar raketa hipersonike, por nuk është raportuar për dëme të rënda në territorin izraelit. Autoritetet iraniane raportojnë se nga sulmet izraelite kanë humbur jetën 585 persona, përfshirë 239 civilë.
Nga ana tjetër, Irani ka lëshuar rreth 400 raketa drejt Izraelit, duke vrarë 24 persona – të gjithë civilë, sipas burimeve izraelite.
