TIRANE- Në një kohë kur ai priste që të fitonte lirinë, me pretendimin se vuante nga një sëmundje e rëndë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka refuzuar kërkesën e gjyqtarit Shkëlqim Miri.

Nga ekspertiza mjeko-ligjore u konstatua se Miri vuante nga tumori, por nuk i rrezikohej jeta.

Aktualisht gjykatësi është transferuar në një spital në Tiranës, ndërsa është arrestuar për korrupsion. Gjykatësi ka dëshmuar më herët se është i sëmurë nga një tumor, ndërsa deklaroi se i rrezikohet jeta në qelinë e burgut.

Gjyqtari Miri, ishte nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda prej të paktën 6 muajsh. Ai dyshohet se ka marrë një shumë parash për të lënë në fuqi vendimin e dënimit që favorizonte një të dënuar për vrasje, (Gentian Doda) të cilit i ishte ndryshuar akuza nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje.

Pas hetimeve dhe përgjimeve, prokuroria krijoi bindjen se gjyqtari e kishte marrë këtë shumë parash, pasi vendimi i dhënë prej tij ishte ai që pritej nga familjarët e të dënuarit. Për të provuar këto dyshime, organi i akuzës kërkoi leje nga gjykata për kontrollin e banesës së gjyqtarit Shkëlqim Miri.

Dhe në fakt kontrolli rezultoi efikas, pasi gjyqtarit iu kapën rreth 300 milionë lekë në banesë. Konkretisht atij iu sekuestruan 174 mijë e 810 euro, 1 milion e 149 mijë lekë dhe 1 mijë dollarë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb