Në një takim elektoral të mbajtur në Mirditë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paraqiti një program të detajuar dhe ambicioz për transformimin e vendit, duke kërkuar nga qytetarët shqiptarë vetëm 100 ditë për të sjellë ndryshimin e shumëpritur.

“Ne nuk kërkojmë 12 vite mashtrime si Edi Rama, kërkojmë vetëm 100 ditë për t’i dhënë çdo shqiptari një mundësi të re,” deklaroi Berisha, duke theksuar se fushata e opozitës është një betejë për kombin dhe të ardhmen e tij, jo thjesht për një rotacion politik.

Ai vuri në qendër të premtimeve minierat e Mirditës, duke garantuar se “qytetarët e kësaj krahine do jenë përfituesit e parë të pasurive të tyre, përmes rentës dhe investimeve që qëndrojnë në komunitet.”

Në planin ekonomik, Berisha premtoi:

-Taksat më të ulëta në Europë – 10%

-Ulje drastike të energjisë elektrike për biznesin në 6 lek dhe për qytetarët në 7 lek

-Ulje të tatim-fitimit nga 23% në 10%

-TVSH nga 20% në 15%

-5 vite pa taksa për çdo shqiptar që kthehet nga emigracioni

-Për të rinjtë dhe familjet, Berisha zotohet për:

-Dyfishim të buxhetit për arsimin dhe heqje të mesatares për universitetet

-Punësim të garantuar për të diplomuarit dhe mbulim të sigurimeve nga shteti

-Grant 30,000 euro për çdo çift të ri për strehim

-Bonus mujor për fëmijët: 70 euro për të parin, 60 për të dytin, dhe mbulim total për të tretin deri në moshën 23 vjeç

Ai theksoi se ky është një program kombëtar për të rikthyer shqiptarët nga emigracioni dhe për të frenuar shpopullimin.

“Mirdita dhe gjithë Shqipëria nuk do të votojnë thjesht për një parti më 11 maj, por për të shpëtuar kombin nga zhdukja, për të ndalur varfërimin dhe për të rikthyer shpresën,” tha Berisha.

Duke kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, ai kujtoi premtimet e pambajtura të kryeministrit Rama për shëndetësi falas, çmime të ulëta dhe punësim: “Sot, 21% e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi të sigurojnë tre vakte në ditë. Rama premtoi dhe përzuri një milion shqiptarë nga vendi.”

Në mbyllje, Berisha theksoi: “Kërkojmë 100 ditë për minimumin jetik prej 200 eurosh, për kartën e konsumatorit, për listën italiane të ilaçeve të rimbursueshme, për pagën minimale 500 euro, për të transformuar Shqipërinë dhe për ta ngritur Mirditën në kreshtën e madhështisë së saj.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb