Subvencionet e ulëta në bujqësi dhe blegtori, krahasuar me vendet e rajonit, kostot e larta të prodhimit, mungesa e kanaleve ujitëse dhe heqja e naftës pa akcizë janë ndër problematikat kryesore që vijojnë të penalizojnë fermerët dhe konkurrueshmërinë e sektorit.

Përballë këtyre vështirësive, fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë rikthimin e protestave në fillim të muajit shtator, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Në javën e parë të shtatorit, përfaqësues të fermerëve dhe blegtorëve pritet t’i drejtohen Ministrisë së Bujqësisë me një paketë kërkesash, që lidhen kryesisht me skemën kombëtare të bujqësisë, subvencionet, TVSH-në dhe kostot e prodhimit.

Ndër kërkesat kryesore që anëtarë të Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit pohuan për Monitor pritet të jetë rishikimi i skemës kombëtare, veçanërisht heqja e pragjeve për përfitimin e rimbursimeve direkte për bagëtitë. Blegtorët do të kërkojnë gjithashtu rritjen e subvencionit për lopët nga 12 mijë në 20 mijë lekë për krerë, uljen e TVSH-së dhe rregullimin e etiketimit të produkteve të bulmetit vendas, që prodhohen me qumësht të freskët, por të importuar.

Nëse këto kërkesa nuk reflektohen në ndryshimet fiskale dhe në skemën kombëtare për vitin 2027, fermerët paralajmërojnë protesta. Sipas tyre këtë herë në protestë po diskutohet të zbresin edhe traktorët, duke e zhvendosur plotësimin e kërkesave përtej protestave të zakonshme të zhvilluara edhe më parë nga fermerët.

Subvencionet dhe nafta pa akcizë kërkesat kryesore të fermerëve

Për blegtorët, problemi kryesor mbetet hendeku i mbështetjes shtetërore me vendet e rajonit. Dashamir Çela, drejtues i një ferme me 60 krerë lopë në fshatin Samaticë të Beratit, thotë për Monitor se mungesa e konkurrueshmërisë po e bën gjithnjë e më të vështirë vijimin e aktivitetit.

“Blegtoria është në ditët e saj më të këqija. Mungesa e konkurrueshmërisë është një nga problemet kryesore me të cilat po hasen edhe ata pak blegtorë që kanë mbetur në vend. Ne prodhojmë me kosto të lartë për shkak të një sërë problemesh që ka sektori, që nga çmimi i lartë i naftës, mungesa e kanaleve ujitëse etj., dhe subvencionet e ulëta.

Sot, një blegtor në Serbi merr subvencione direkte për krerë lopë prej 350 eurosh. Përveç kësaj, paguhet edhe 16 lekë për litër qumësht të prodhuar. Në vit, një blegtor me një madhësi ferme të ngjashme me timen përfiton 45 mijë euro subvencione.

Me këtë subvencion, fermeri në Serbi, por edhe në vende të tjera të rajonit, e ka fitimin të mbrojtur nga shteti. Prandaj edhe qumështin e shet më lirë sesa fermeri shqiptar, pothuajse me koston e prodhimit.

Ndërsa ne përfitojmë 12 mijë lekë subvencion për lopë dhe, me ndryshimet e fundit të skemës, u hoqën subvencionet për viçat.

Rishikimi i subvencioneve, pra rritja e masës së tyre dhe heqja e pragjeve për krerët, mbetet një nga kërkesat kryesore të sektorit, për të cilat ne kërkojmë zgjidhje përmes ndërhyrjeve fiskale në hartimin e projektbuxhetit dhe paketës së ardhshme fiskale”, pohon ai.

Diferenca me vendet e rajonit, sipas blegtorëve po ndikojnë drejtpërdrejt me çmimet e qumështit dhe furnizimet e përpunuesve.

Sipas ekspertëve të bujqësisë në Kosovë, subvencionet arrijnë në 600 euro për një krerë lopë. Në Maqedoninë e Veriut, fermeri subvencionohet me 250 euro për krerë lopë, plus 10 lekë për litër qumësht lope të prodhuar. Në total mbështetja vjetore arrin në rreth 900 euro për qumështin.

Kjo diferencë në masën e subvencioneve direkte, përfshirë kostot e larta të ushqimit të kafshëve, çmimit të lartë të naftës për punimin e tokave vijojnë të krijojnë presion të dyfishtë te fermeri vendas, që nga njëra anë i rriten kostot dhe nga ana tjetër nuk arrin të konkurrojë prodhuesit e rajonit.

Në muajin mars të këtij viti, qeveria rishikoi skemën kombëtare të bujqësisë. Një nga ndryshimet më të debatueshme ishte heqja e naftës pa akcizë, skemë që aplikohej që prej vitit 2021.

Ministria e Bujqësisë argumentoi se lehtësirat e fermerëve do të kompensoheshin përmes një skeme të re, që parashikon kompensimin e 10% të TVSH-së së paguar për inputet bujqësore, përmes autofaturave të blerjeve të lëshuara nga përpunuesit.

Nga ana tjetër, ndryshimet sollën rritjen e masës së disa subvencioneve direkte dhe uljen e pragjeve të numrit të kafshëve për përfitimin e tyre.

Nëse një blegtor në vitin 2025 përfitonte 10 mijë lekë subvencion direkt, për vitin 2026 me ndryshimet e miratuara, përfiton 12 mijë lekë për krerë. Ndërsa mbështetja për bagëtitë e imëta u rrit nga 1,200 në 1,500 lekë.

Skema e re përgjysmoi edhe pragjet e numrit të kafshëve në fermë për përfitimin e subvencioneve. Pragu për fermat me lopë u ul nga jo më pak se 10 lopë në jo më pak se 5 lopë. Për bagëtitë e imëta, pragu u ul nga 100 në 50 krerë.

Por ndryshimet nuk u mirëpritën nga fermerët dhe blegtorët, të cilët kërkojnë mbështetje më të madhe dhe masa që sipas tyre të garantojnë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.

Në fillim të muajit prill, qindra fermerë protestuan para Ministrisë së Bujqësisë. Ndër kërkesat kryesore ishte rikthimi i naftës pa akcizë dhe rritja e subvencioneve për lopët.

Heqja e skemës së naftës erdhi në një periudhë kur kostot e karburanteve dhe të inputeve bujqësore ishin në rritje, duke shtuar presionin mbi fermerët.

Pas disa orësh protestë, një përfaqësi e fermerëve zhvilloi takim me ministrin e Bujqësisë dhe atë të Financave, ku u diskutuan mundësitë për rishikimin dhe plotësimin e kërkesave në muajin shtator.

Përfaqësuesit e sektorit pohuan për Monitor se kërkojnë që ndryshimet të reflektohen përpara hartimit të paketës fiskale dhe projektbuxhetit për vitin 2027. Në të kundërt, protestat mund të rikthehen, këtë herë me një kërkesë më të gjerë për uljen e kostove dhe rritjen e mbështetjes për sektorin vendas./ Monitor

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb