Protesta e shoferëve të transportit ndërqytetës në Vlorë që kërkojnë ndërtimin e një terminali u zhvendos në ambientet e Këshillit Bashkiak, ku tentuan të futeshin me forcë në sallën e mbledhjeve.
Me kërkesën për ndërtimin e një terminali dhe refuzimin për t’u zhvendosur në zonën e njohur si Paraburgimi i Vlorës, shoferët që kryejnë linjat drejt Tiranës, Beratit, Elbasanit, Sarandës dhe qyteteve të tjera kanë pezulluar aktivitetin prej 2 ditësh. Shoferët bëjnë të ditur se në vendqëndrimin që iu është caktuar së fundmi, qytetarët nuk kanë me se të shkojnë, pasi urbani i qytetit nuk e përshkon atë zonë. Kjo gjë dëmton aktivitetin e tyre.
Një tjetër shqetësim që shoferët ngrenë është konkurrenca e pandershme, duke kërkuar dënimin dhe ndalimin e aktivitetit të taksive dhe furgonëve privatë të palicencuar. Për rrjedhojë, shoferët e transportit ndërqytetës thonë se pezullimi i punës së tyre do të vijojë deri në marrjen e një zgjidhjeje konkrete nga institucionet vendore, pasi sipas tyre Vlora është i vetmi qytet që nuk ka terminal.
