Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka komentuar në studion e News24 zhvillimet e fundit brenda forcës politike që përfaqëson, në lidhje me çështjen e mandatit të deputetit pas zgjedhjeve të 11 majit.
Lapaj tha se, si kandidati më i votuar i listës së “Shqipëria Bëhet”, kishte kërkuar që mandati t’i kalonte gruas më të votuar pas tij, për të respektuar vullnetin qytetar dhe parimet e transparencës. Por sipas tij, kjo kërkesë kërkonte dorëheqjen e Endrit Shabanit dhe Pano Sokos nga listat e përfaqësimit.
“Kam hasur rezistencë nga zoti Shabani, jo nga zoti Soko,” deklaroi Lapaj. “Zoti Shabani më tha se kishte dhënë një premtim publik dhe nuk tërhiqej. Unë i thashë: ‘Dakord, do të përfaqësoj 64 mijë njerëzit që na kanë votuar në rang kombëtar’.”
Lapaj u shpreh i zhgënjyer nga zhvillimet brenda lëvizjes dhe kërkoi ndjesë publike: “Dua t’i kërkoj falje çdo njeriu që na ka votuar dhe çdo qytetari që ka pritur të na mbështesë për këtë shëmti që po ndodh.”
