Nga: Fatmira Nikolli*
Deri në muajin nëntor kur në Tiranë rivjen Angjelin Preljocaj, Yuri Vamos dhe në skenë ngjitet edhe “Carmina Burana”, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit e vijon punën e tij normalisht. Pas kësaj, godina mbyll dyert për një vit, për shkak të rikonstruksionit që pritet ti nënshtrohet. Drejtori i TKOB Ilir Kerni, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon planin e punës për “operën në ekzil” dhe prishmëritë për godinën e re. Sigurisht, Kerni ndalet edhe në atmosferën që mbizotëron sot në TKOB, muaj pas reformës që ngjalli pakënaqësi dhe protesta.
“Dasma e Figaros” ringjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, por këtë herë do të jetë me të rinj. Kjo, ka të bëjë me “Edukimin përmes kulturës”?
Para katër javësh ne e vumë “Dasmën e Figaros”, jam i detyruar ta them, me një sukses të madh. Publiku e mirëpriti këtë vepër të vënë me regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe stafi që mori pjesë aty, ishin artistët tanë më të mirë. Por, në misionin e teatrit, përveçse të mbajë gjallë jetën artistike për publikun, është edhe krijimi i vazhdimësisë. Ky për ne është një mision madhor dhe në këtë drejtim kemi bërë politika të tilla që jo vetëm në opera, por në të gjithë sektorët, qoftë në balet, apo tek ansambli, të kemi artistë të rinj. Tek “Dasma e Figaros”, që do vihet në skenë në datat 28 dhe 30 kemi mbledhur një ekip këngëtarësh të rinj dhe me këtë formë, ne sigurojmë të ardhmen e operas, një vijimësi e sigurt. Në këtë pikëpamje jemi të mendimit që kjo mund të jetë edhe forma e edukimit përmes artit, sepse i gjithë brezi i ri që vjen në këtë shfaqje ka ndikim në brezin e ri dhe kështu afrojmë edhe një publik të ri në teatër.
“Dasma e Figaros” vjen me të njëjtën regji?
Po e njëjta regji. Gjithçka është siç ishte, dirigjent është Edmon Doko, ndërsa i gjithë stafi ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Kemi dy këngëtarë të rinj nga Italia dhe Marigon Çekrezin, një soprano që është me kualitet të jashtëzakonshëm.
Po nga Akademia e Arteve?
Ka disa këngëtarë që janë mjaft të talentuar dhe spikasin me origjinalitetin e tyre, në lojë dhe në ekzekutimin e të gjithë rolit. Nuk është e thjeshtë të dalësh në skenë me një rol të tërë, në një shfaqje të tërë. Kjo është hera e parë që ndiqet si praktikë në Teatrin e Operas dhe ne shpresojmë që këtë praktikë ta ndjekim. Thashë se kemi mision madhor vijimësinë.
Një opera me të rinj, a është ky një lloj risku që merr përsipër Teatri i Operas dhe Baletit?
Në asnjë mënyrë, sepse jemi në gërshetim të artistëve tanë me eksperiencë me artistët e rinj. Krijohet një sinergji ndoshta shumë më interesante se sa kur janë të gjithë artistë të të njëjtit brez.
Është folur më herët për një rikonstruksion të godinës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në ç’pikë të punës dhe në ç’fazë të projektit jeni?
Për fatin tonë të madh, për fatin e publikut, për fatin e artistëve të TKOB dhe për fatin e historikut të këtij teatri që trashëgojmë dhe që ka pasur e ka artistë të mëdhenj, erdhi koha që TKOB të rikonstruktohet. Ne jemi tani në një fazë, kur po bëjmë bisedime për zhvendosjen e trupave, pra që trupat e TKOB të jenë sa më komode në ambiente të tjera në Tiranë. Për shembull, që orkestra të punojë me komoditetin më të madh, në ambientet e RTSH, ndërsa trupat e tjera të vendosen diku tjetër, ku mund t’u ofrohet komoditeti maksimal për periudhën që do të vazhdojë rikonstruksioni. Mbi të gjitha për ne është lumturisht lajm i mirë që do të kemi një teatër të parametrave modernë e që më në fund edhe publiku që do të vijë, do të ndjehet mirë.
Kjo është një gjë që mendoj se Tirana e meriton, e meriton vendi jonë dhe artistët tanë, e meritojnë brezat që e kanë themeluar dhe e kanë vazhduar këtë punë dhe e sollën deri në ditët tona, e meritojnë edhe ata që na nderojnë duke debutuar në skenat botërore. Të gjithë e meritojnë një teatër të ri.
Praktikisht, çfarë do të përfshijë rikonstruksioni? Skenën, studiot e provave?
Natyrisht e domosdoshme është që skena të jetë tërësisht në parametra modernë, ashtu si edhe salla e publikut. Nga ana tjetër, do të rishikohen edhe ambientet e tjera: studiot e orkestrës dhe të baletit, që të kenë kushte optimale. Kur të mbarojë rikonstruksioni dhe artistët të rivijnë në këtë teatër, do të jenë me kushte të mira, ashtu siç i meritojnë në fakt. Sot për sot, duhet thënë që është një teatër tërësisht i ezauruar me kushte jo adekuate për një teatër normal dhe kombëtar. Është i vetmi teatër i këtij lloji në hapësirën shqipfolëse.
Sa kohë mund të zgjasë rikonstruksioni dhe a ka një kosto?
Mund të flas vetëm për kohëzgjatjen, e cila nuk shkon më shumë se sa 10-11 muaj. Sa i takon kostos, nuk mund të them një shifër, sepse këtë nuk e bën teatri. Kjo është një ndërmarrje e qeverisë që do të duhet të gjejë të gjithë mundësitë financiare për ta mbaruar këtë punë ashtu siç duhet. Këmbëngulja ime ka qenë, është dhe do të jetë, që teatri të bëhet në parametrat më modernë.
Gjatë këtij viti që teatri do të jetë i mbyllur, do të transferohen shfaqjet diku tjetër apo nuk do të ketë shfaqje?
Ne jemi shpërndarë në inspektim në gjithë Shqipërinë për të gjetur të gjithë skenat e mundshme ku mund të operojmë. Mos harroni se ndërkohë ne kemi menduar dhe planifikuar që repertori jonë, të jetë i tillë që të jetë e mundshme lëvizja. Baleti nuk e ka problem të lëvizet, sepse tashmë kemi krijuar një repertor me të cilin trupa mund të lëvizë e ndarë në dy grupe, qoftë me balet modern edhe me atë klasik. Opera është absolutisht e mundshme të angazhohet edhe në forma koncertale, në skenat që janë në Tiranë ndërkohë që mund të jemi në lëvizje në gjithë Shqipërinë dhe mund të jemi në lëvizje edhe në hapësirën shqipfolëse, Kosovë, Maqedoni, Mali të Zi.
Ndërkohë, nuk do ketë shfaqje për publikun e kryeqytetit?
Natyrisht që do ketë. Akademia e Arteve është njëra mundësi, por mund të jenë edhe mundësi të tjera për të pasur, shfaqje të ndryshme në ambiente të ndryshme. Edhe forma do të ndryshojë. Nuk mund të jetë një opera e madhe, si “Dasma e Figaros”, por do jenë forma të tjera. Teatri ynë do të jetë i lëvizshëm, por nuk përjashtohet mundësia e turneve jashtë vendit. Për shembull, është e sigurt që trupa e baletit do të lëvizë në Itali për më shumë se sa 10 shfaqje.
Siç ishte shfaqja e Preljocajt dhe “Coppelia”?
Po. Në konceptimin e programit jemi duke u menduar. Është e sigurt se për këtë periudhë 10 -11 muaj, nuk do të kemi premiera të mëdha, por gjëra të vogla. Koncepti i teatrit të operas është lëvizja në gjithë vendin, derisa të kemi teatrin dhe më pas do kemi inaugurimin e teatrit me vepra shumë madhore të operas dhe baletit.
Do të ketë ndryshime arkitekturore të skenës, apo vetëm përmirësim?
Teknologjia e skenës do të jetë tërësisht moderne. Duhet të kemi parasysh se teknologjia është më e vjetra që mund të ekzistojë. Ndërsa edhe për sallën e publikut, kam këmbëngulur që të jetë e ndryshuar dhe besoj se kjo do merret parasysh.
Për shkak edhe të reformës që preku artistët, pati një lloj mbipërqendrimi të vëmendjes tek opera. Reforma ngjalli zemërim dhe solli zëra kritikë. Me kalimin e muajve, sa ka ndryshuar perceptimi dhe qasja ndaj operas? A ka ikur ideja e një institucioni ku ka shfaqje por edhe njerëz të pakënaqur apo e ndjeni ende?
Nuk e di sa jeni në korrent të atyre që ndodhin në opera, por mendimi im është se ekziston një atmosferë artistike shumë e ndezur, pozitive dhe niveli i performancës është rritur jashtëzakonisht shumë: në koncerte simfonike, shfaqje opere, shfaqje baleti, në disiplinë, në vendosjen në punë të të gjitha trupave, në një atmosferë që është krejtësisht artistike dhe e vazhdueshme çdo orë të ditës. Kjo për mua është gjë e madhe, ose mbase nuk është gjë e madhe sepse ky është teatri normal, ku punohet nga mëngjesi deri në darkë pa mbarim. Intensiteti i aktiviteteve në Teatrin e Operas dhe Baletit, është i tillë që gati çdo dy ditë ka diçka që ndodh. E vetmja gjë që më shqetëson është prapavija e skenës, ata që punojnë në prapavijë. Janë kaq shumë të ngarkuar, sa më vjen vërtet keq. Por, teatri në të ardhmen do të jetë me tjetër staf me tjetër ekip dhe do të jetë e domosdoshme që stafi të rritet, në prapavijë dhe në trupat artistike.
Kur fillon rikonstruksioni, në ç’muaj?
Kam kërkuar dhe jam lutur për të bërë një event gjigand që është 25-vjetori i bashkimit të Gjermanisë në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane. Do të bëjmë një super shfaqje që është “Carmina Burana” ku përfshihet orkestra, kori dhe baleti. Do të jetë këtu një nga koreografët më të mëdhenj të botës, që është Yuri Vamos. Jam lutur që të shkojmë deri në premierën e Preljocajt që është në datën 7 nëntor dhe pas këtyre dy eventeve fillon rikonstruksioni.
