Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka nderuar pas vdekjes gazetarin dhe kryeredaktorin e gazetës “Panorama” ,Aristir Lumezi me titullin e lartë “Qytetar Nderi”, në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në gazetarinë shqiptare. Mirënjohja iu dorëzua ,djalit të tij Antonios Lumezi , si simbol i trashëgimisë profesionale dhe njerëzore që Lumezi la pas, duke formuar breza të rinj gazetarësh dhe duke vendosur standarde etike në median shqiptare.
Me një karrierë mbi dy dekada, Aristir Lumezi shërbeu si gazetar i politikës dhe kryeredaktor i gazetës Panorama, duke u shquar për profesionalizëm, korrektësi dhe përkushtim ndaj informimit të saktë të publikut. Në motivacionin e titullit theksohet kontributi i tij i çmuar si gazetar, pedagog dhe drejtues redaksie, që ndikoi drejtpërdrejt në rritjen e profesionalizmit të gazetarisë shqiptare.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja gjatë dorëzimit të titullit u shpreh se figura të tilla mbeten shembull frymëzimi për brezat e rinj, duke dëshmuar se përkushtimi, etika dhe dashuria për profesionin janë vlera që i rezistojnë kohës.
Në të njëjtën ceremoni, titulli “Qytetar Nderi” pas vdekjes iu akordua edhe pedagogut Ali Shashaj, si dhe ish-deputetit socialist Bukurosh Stafa . Ky i fundit, gjatë marrjes në dorëzim të vlerësimit, falënderoi Këshillin Bashkiak të Elbasanit për nderimin e tij duke e cilësuar si një vlerësim për kontributin e tij ndër vite, si inxhinier dhe si politikan në shërbim të komunitetit.
Ceremonia e ndarjes së titujve i parapriu eventit madhështor Grand Gala 2025, i cili solli në skenën e Teatrit “Skampa” një mbrëmje të veçantë fundviti, ku muzika klasike dhe eleganca artistike u bashkuan në një festë të vërtetë për qytetin e Elbasanit.
Nën drejtimin artistik dhe dirigjimin e Gridi Krajës, Orkestra Filarmonike e Elbasanit dhuroi një koncert të nivelit të lartë, duke përcjellë profesionalizëm, emocion dhe interpretim të shkëlqyer, që u duartrokit gjatë nga publiku.
Grand Gala 2025 dëshmoi se arti, kur krijohet me pasion dhe sinqeritet, nuk mbush vetëm sallën me tinguj, por edhe zemrat me ndjesi krenarie, bashkimi dhe shprese. Grand Gala mbetet kështu një traditë e bukur, që i jep fundvitit hijeshi, kulturë dhe emocione të paharrueshme për qytetin e Elbasanit.
