Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Pogradecit, të zhvilluar dy ditë më parë, është vendosur rritja e tarifës së parkimit nga 50 lekë në 100 lekë për disa prej zonave të qytetit.
Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak ka miratuar gjithashtu edhe shtimin e zonave ku parkimi do të jetë me pagesë, për llogari të shoqërisë “Pogradeci Invest”, e cila merret me menaxhimin e parkimeve publike në qytet.
Projektvendimi ka kaluar me 18 vota pro nga këshilltarët e majtë, 4 vota kundër dhe 2 abstenime.
Ndërkohë, në seancë ka pasur debate të ndryshme lidhur me këtë projektvendim të sjellë nga administrata e bashkisë. Disa këshilltarë e kanë kundërshtuar gjatë mbledhjes, ndërsa subjekte të ndryshme politike, si Partia e Lirisë, kanë dalë në deklaratë publike, duke nënkuptuar distancim nga kjo vendimmarrje, e cila, sipas tyre, rëndon në xhepat e qytetarëve.
Ky është një nga projektvendimet që, brenda një kohe të shkurtër, parashikon rritjen me 50% të tarifave të parkimeve publike në qytetin e Pogradecit. Pra, qytetarët dhe pushuesit që më herët paguanin 50 lekë për orë, tashmë do të detyrohen të paguajnë 100 lekë për orë.
