TIRANE-Kandidatët për anëtarë të Këshillit bashkiak të Tiranës kanë zhvilluar një bashkëbisedim me banorë të Njësisë 5 në kryeqytet, ku i pranishëm ka qenë edhe zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili. Në këtë takim ishin të pranishëm kandidatët për Këshillin Bashkiak Erisa Xhixho, Bruna Paskali, Endrit Braimllari, Floida Kërpaçi si dhe deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.

Në fjalën e tij zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi se prioriteti i LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës por edhe në të gjitha këshillat bashkiakë në të gjithë vendin do të jetë krijimi i lehtësirave për biznesin për të krijuar mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës për qytetarët.

“Anëtarët e LSI-së në Këshillin e ri Bashkiak të Tiranës në punën e tyre do të kenë prioritet shërbimet dhe punësimin. Në këtë drejtim elementi thelbësor do të jetë përkrahja e biznesit të vogël. Ne do ta transformojmë pushtetin ri vendor nga një pushtet të palëvizshëm, që rri në një stanjacion, në një pushtet i cili gjeneron shumë mundësi të reja, që u qëndron më afër qytetarëve që do ta zgjedhin. Në të gjithë platformën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në kemi në vëmendje pikërisht këtë gjë. Familjet e Tiranës, veçanërisht, për të pasur një të ardhme më të mirë kërkojnë më shumë shërbime dhe punësim. Punësim do të thotë zhvillimi i biznesit. Nuk është i lidhur punësimi i shqiptarëve, në masën e tij dërrmuese, me një punë të vogël të gjetur në një nga zyrat e shtetit. Shteti ka vetëm 10% të të punësuarve të Shqipërisë. Mbi 90% janë të punësuar në biznesin privat. Prandaj duhet mbështetur biznesi sepse sjell vende të reja pune për shqiptarët, duke rritur zhvillimin dhe mirëqenien e çdo qytetari të thjeshtë dhe familjeve shqiptare”, – u shpreh Vasili.

Ai tha se mbështetja që LSI u ka dhënë të rinjve dhe grave e vajzave është një tregues i qartë i besimit që LSI ka tek kontributi i tyre për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.
“Ne kemi ndërthurur më mirë se cilado forcë tjetër politike njerëzit me eksperiencë dhe të rinjtë, e cila është dhe tërheqja më e madhe që ekziston për LSI-në. Njerëzit me eksperiencë dhe të rinjtë bashkëjetojnë më së mirë, nuk kanë garën e sëmurë të brezave por kanë bashkëpunim për të ecur sa më shpejt përpara. Ne në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në atë aktualin, kemi përqindjen më të madhe të të rinjve. Njëkohësisht kemi qenë shumë të hapur për barazinë gjinore në vendimmarrje, shumë më përpara se politika të arrinte këtë gjë. Ne e kemi pasur këtë një dimension tonën që është zhvilluar dhe që na ka bërë mirë që të gjithëve. Ne kemi pasur gjithmonë besimin se tabutë e vjetra të politikës na pengojnë dhe nuk na lënë të ecim përpara. LSI ka qenë partia e jo barrierave dhe e po mundësive dhe kështu do të vazhdojë gjithmonë të jetë”, – vijoi Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

Duke përfunduar Vasili tha Shqipëria, në këto momente në të cilat ndodhet, kërkon njerëz që ka ritme të mëdha, ambicie të mëdha dhe që kërkojnë të ecin shpejt. “Ndaj dhe programi ynë në këto zgjedhje është i prirur saktësisht drejt problemeve që kërkojnë zgjidhje të shpejtë”, – tha ai.

Ndërkohë që nga ana e saj, zëvendësministrja e Integrimit Evropian, njëherazi kandidate për anëtare e këshillit Bashkiak të Tiranës, znj. Erisa Xhixho, premtoi banorëve se pas zgjedhjeve të 21 qershorit do të ngrinte zërin e saj në Këshillin Bashkiakë të Tiranës për të gjithë çështjet që i shqetëson banorët e Njësisë nr. 5 në kryeqytet.

“Ne do të punojmë për më shumë mbështetje ndaj të rinjve, ndaj grave dhe vajzave, për më shumë vende pune dhe më shumë zhvillim. Vizioni ynë është që këtë parlament të kryeqytetit ta kthejmë në një parlament të komunitetit. Një herë në tre muaj në do të mblidhemi të gjithë së bashku kështu siç jemi sot. Një herë në tre muaj grupi i këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të ketë takime të hapura me komunitetin, të mblidhemi dhe të diskutojmë të gjitha shqetësimet e qytetarëve. Është shumë e rëndësishme që ne të mbajmë lidhjet”, – tha Xhixho.

Duke përfunduar kandidatja për anëtare e këshillit Bashkiak të Tiranës premtoi së LSI do të jetë garante në Këshillin Bashkiak që çdo cent i taksave të qytetarëve të Tiranës të shkojë për më shumë shërbime dhe punësim për qytetarët.

Më herët kandidatët për anëtarë të Këshillit bashkiak të Tiranës kanë zhvilluar takime të ndryshme me biznese dhe banorë të zonës së Selitës në Njësinë nr. 5 në Tiranë. Në këto bashkëbisedime qytetarët dhe bizneset i kanë njohur anëtarët për këshilltarë me problematikat që i shqetësojnë ato.
Kandidati për anëtar i Këshillit Bashkiak, njëherazi kryetar iu Lëvizjes Rinore për Integrim, Endrit Braimllari, u shpreh se këshilltarët do të jenë zëri i çdo qytetari në bashki për çdo problem që ata do kenë.

“Të zgjedhim sa më shumë këshilltarë të LSI, të zgjidhim sa më shumë probleme, të angazhojmë të rinjtë në vendimmarrje. Problemi i kanalizimeve dhe rregullimi i rrugëve do të jetë prioriteti kryesorë”, tha ai.
Ndërkohë që kandidatja tjetër, njëherazi zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Bruna Paskali premtoi për zgjidhjen e problemeve të zonës të cilat kryesisht janë për transportin urban.

“Zgjidhja e problemit të hipotekave, qeveria dhe bashkia do të kenë impenjimin maksimal. Do të ndihmohet biznesi i vogël nëpërmjet uljes së taksave, duke ju krijuar sa më shumë mundësi për zhvillimin e biznese të reja. Për biznesin informal ne ju premtojmë një zgjidhje sa më të shpejtë”, – tha Paskali.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: