NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Komiteti i Ministrave për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës i tha “Po” ligjit të pronave. Ligji i miratuar në 5 dhjetor 2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i cili është kontestuar nga ish-pronarët, përmbush rekomandimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronës.

Miratimi i ligjit të pronave nga Komiteti i Ministrave për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës provon faktin se ligji është hartuar në përputhje të plotë me rekomandimet e dy vendimeve-pilot: “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” dhe “Grupi Driza kundër Shqipërisë”. Hartimi i ligjit sipas rekomandimeve të Strasburgut shpëton qeverinë shqiptare nga barra e vendimeve miliona euroshe. Gjykata e Strasburgut kishte pezulluar pranimin e kërkesave kundër Shqipërisë deri në hartimin e ligjit sipas rekomandimeve të saj.

VLERËSIMI
“Delegatët e Komitetit të Ministrave për të Drejtat e Njeriut dolën me vendim mbi çështjet shqiptare, në të cilin vunë në dukje me kënaqësi ligjin për ngritjen e skemës së kompensimit për pronën e shpronësuar gjatë regjimit komunist, i cili është një hap shumë pozitiv për t’i dhënë fund problemit të gjatë të kthimit ose kompensimit të pronës ishpronarëve, dhe inkurajuan autoritetet të mos kursejnë asnjë përpjekje në sigurimin e infrastrukturës së nevojshme teknike dhe logjistike, si dhe burimet e mjaftueshme njerëzore dhe financiare, në mënyrë që skema e kompensimit të jetë efektive, e shpejtë si dhe të respektohen të gjitha afatet ligjore dhe angazhimet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

MBLEDHJA
Ju informojmë se sot, më datë 9 dhjetor 2015, u zhvillua mbledhja e 1243-të e Delegatëve të Komitetit të Ministrave për të Drejtat e Njeriut, ku u mor vendimi mbi hapat që ka marrë Shqipëria për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mbi vendimin-pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” dhe “Grupi Driza kundër Shqipërisë”. Në këtë mbledhje Republika e Shqipërisë u përfaqësua nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Agjent Qeveritar pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Alma Hicka.

Avokatja e Shtetit Hicka në fjalën e saj përcolli mesazhin e ministrit të Drejtësisë mbi zhvillimet më të fundit në kuadër të ekzekutimit të këtij grupi vendimesh, duke u ndalur në miratimin e ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronës”, i cili u miratua nga Parlamenti i Republikës më 5 dhjetor 2015. Në fjalën e saj, gjithashtu znj. Hicka bëri një pasqyrim të qartë mbi parashikimet e këtij ligji, të drejtat, detyrimet dhe garancitë që ai parashikon për ish-pronarët, garanci të cilat janë një risi e ligjit të ri.

Në përfundim të fjalës së Hickës, një sërë delegacionesh përshëndetën arritjet e autoriteteve shqiptare në kuadër të zgjidhjes së këtij problemi kompleks, mirëpritën miratimin e ligjit në parlament dhe shprehën mbështetjen e tyre për qeverinë shqiptare, për përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, një proces i cili është sa kompleks po dhe aq i vështirë në zbatimin e tij.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: