Mike Waltz, këshilltari i sigurisë kombëtare i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Hamasi nuk duhet të sundojë kurrë Rripin e Gazës, duke e quajtur atë një grup terrorist që duhet eliminuar.

“Hamasi nuk do ta sundojë kurrë Gazën. Kjo është krejtësisht e papranueshme”, tha Waltz në një intervistë për CBS News.

Waltz shtoi se administrata e ardhshme e Trump do t’i ofrojë mbështetje të plotë Izraelit në rast të shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit nga Hamasi. “Nëse Hamasi tërhiqet, ndryshon kushtet ose nuk respekton marrëveshjen, ne do ta mbështesim Izraelin në çdo veprim që do të konsiderohet i nevojshëm”, tha ai.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, i shpallur zyrtarisht sot nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, hyri në fuqi në orën 11:15 me orën atje (10:15 me orën europiane). Pakti u shty për disa orë për shkak të dështimit të Hamasit për të siguruar listën e pengjeve që do të liroheshin. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, parashikon një armëpushim fillestar 42-ditor.

Në fazën e parë parashikohet shkëmbimi i pjesshëm i të burgosurve, tërheqja e trupave izraelite nga zonat urbane të Gazës dhe hyrja e ndihmave humanitare.

Fazat pasuese, të cilat përfshijnë stabilizimin dhe rindërtimin e mundshëm të Rripit të Gazës, ende nuk janë përcaktuar.

Waltz përsëriti se “mbajtja e Hamasit në pushtet do të përfaqësonte një pengesë për paqen rajonale” dhe përfundoi: “Hamasi duhet të shkatërrohet si një organizatë terroriste”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb