Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” këtë të premte u rikthye sërish në fshatin Fier-Shegan të Lushnjës. Ishte Sidrit dhe Meri Bejleri mbërritën në fshat me një mision: Të takonin çiftin e të moshuarve, të cilët jetonin brenda një sere nga 7 shkurti i 2021 kur shtëpia e tyre u bë shkrumb e hi, si shkak i një shkëndije elektrike.

I shoqi e thirri për një moment. Gjunjët e tij të lodhur kërkonin pak ndihmë. I tha të vinte për t’i dhënë një dorë, të korrnin bar për lopët. Fiqiretja doli nga banesa në fshat. “Ishim burrë e grua në shtëpi. Burri ishte sëmurë nga këmba dhe më tha ta ndihmoj, për të korrur bar për lopët. ”Por kur u kthye, gjeti flakët. Kur u kthyem pashë tym… mendova mos ishte djegur ndonjë barishte. Kur dola e pash drejt, ishte flaka në shtëpinë time. Pastaj nuk mbaj mend çfarë ndodhi, mendjen e kisha të vdekur”,-thonë njëzëri.

Shtëpia kishte humbur e bashkë me të, gjithçka kishte brenda. Burrë e grua mbetën fillikat, me rrobat e trupit. “Kurrë nuk e kisha menduar kaq keq, tani që m’u dogj dhe shtëpia. Në shtëpi asgjë nuk nxorëm dot. Mbetëm me rrobat e trupit. Kisha ruajtur disa para dhe ato m’u dogjën”.

Tashmë ata flenë në serë, brenda plastmasit të serës. Jeta brenda serës është bërë e padurueshme nga temperaturat e larta. Ata marrin vetëm 40 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike dhe nuk kanë asnjë të ardhur tjetër. “61 vjeçe jam sot, e të vuaj kështu. Këtu punoj, këtu ha, këtu fle në serë… edhe qeni nuk rron kështu si po rrojmë ne. Jetën time mos e paftë as hasmi e qeni.

Ilaçet nuk i kam marrë, po bëj dy javë. Tërë natën zgjuar rri nga dhimbjet. Me këto barishtet, ne shpresojmë të shesim… a rron njeriu tre ditë me një bukë? Po nga e keqja e kemi, njëherë ha e njëherë jo .Çfarë e dua unë më jetën time, çe dua të rroj kështu? Më mirë të mbytem, më mirë të isha djegur me zjarrin.”-thotë e përlotur Fiqiretja.

Kjo nuk është fatkeqësia më e madhe që u ka ndodhur pasi vite me parë kanë humbur tre fëmijë. Fiqerete e Veli Zeneli, të dy 60 vjeçar kanë një histori të dhimbshme. Nga martesa kanë sjell në jetë pesë fëmijë, por tre fëmijë, dy djem dhe vajza u kanë vdekur në lindje. Vajzat i kanë të martuara në dy fshatra të thella të Lushnjës, por edhe ato jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike. Gruaja thotë se jeta e një qeni është më e mirë sesa e saj dhe shton se vajzat i kanë martuar në moshë të vogël edhe pse ëndrrat e tyre ishin të vazhdonin shkollën e lartë. Burrë e grua, me dorë në zemër bënë thirrje në emision për ndihmë.

Meri dhe Sidrit Bejleri, kanë ardhur në fshat me lajme të mira për çiftin Zeneli. Banesa e tyre është rindërtuar nga themelet. Një mrekulli e quan Sidriti duke parë kushtet ekstremisht të vështira që ka jetuar deri tani familja Zeneli brenda serës ku temperaturat janë përvëluese.

“Sot kemi ardhur ne Fier Shegan, tek familja Zeneli. Eshte një rast më të vërtëtë fatkeq, tragjedia ka filluar me vdekjen e tre fëmijëve, kanë pasur shumë vështirësi, janë marrë me pak blegtori me pak bujqësi. Më pas u rënuar pasi u ra zjarri në shtëpi, ata ndihen të humbur, çifti ka dy vajza të martuara por edhe gjendja e tyre ekonomike është e vështirë, askush nuk ka mundësi të ndihmojë prindërit e moshuar. Ne po ecim dhe ndjejmë një vapë të llahtarshme, imagjinoni këtë çift që jeton brenda në serë, por sot ne jemi për tu dhënë një lajm të mirë”,-u shpreh Meri.

“Këta njerëz nuk kanë asnjë mundësi tjetër por pesha e këtij çifti është e rendë, ata kanë humbur tre fëmijë, janë edhe në moshë të thyer. Ata jetojnë në serë ku ata jetojnë, jetojnë njësh me bimët, në këto ditë të nxehta ata jetojnë nën efektin serë. Ky plastmas i ka mbrojt nga shiu. Siç e shikoni shqiptarët u kanë ndërtuar një mrekulli, është një shtëpi model, e shikojmë njëherë brenda dhe pastaj do ftojmë Fiqireten dhe Veliun”, thotë Sidriti.

“Si rrini këtu ju? Pyet çiftin Zeneli Sidriti kur i takon brenda serës ku ata jetojnë prej shkurtit.

Këtu kemi 6 muaj që jetojmë brenda në serë, qëndruam tek kunati 2 javë pastaj erdha këtu kemi fjetur, hallet e mia nuk kanë fund, ne kemi qenë 10 fëmijë, kur erdha këtu keq e më keq, ne si fëmijë kemi qenë të papunë, gjithë vëllezërit, lindja fëmijën e parë djali me vdiq, edhe vajza që e kisha binjake më vdiq. I rrita keq e keq ndihmë nuk kisha. Jemi shumë sëmure po punoj me një veshkë, fëmijët kanë dashur të shkojnë në shkollë, i kam martuar 18 vjece të vogël nuk e mbaja dot më, kam punuar 8 vjet, fitoja vetëm 4 mijë lekë në ditë, mora ndërtova një shtëpi të vogël ma mori zjarri të gjithë atë që mezi kisha ndëërtuar edhe 500 mijë të vjetra që kisha nuk i shpëtova dot as ato, ishin gjithë kursimet që kishim. Mua më vdiqën tre fëmijë, por ju u bëtë fëmijët e mi. 30 vjet jemi munduar për ta ndërtuar atë shtëpi, u dogj për 5 minuta. Zoti mi dëgjoi lutjet e mia.” thotë Fiqiretja.

“ Në ikim dhe shkojmë diku, se shqiptarët nuk kanë zhgënjyer askënd, nuk do u zhgënjejnë edhe ju tani”,-u thotë Sidriti duke i ftuar të lëvizin bashkarisht nga sera drejt banesës së tyre të re të ndërtuar nga themelet.

“Nuk më besohet, nuk më bësohet që kjo është shtëpia ime, nuk e kisha imagjinuar kurrë, më duket si ëndërr kam jetuar në krevat druri. Është çudi e madhe. Kam 36 vjet që jam martuar por kushte të tilla në shtëpi nuk e kisha imagjinuar kurrë, nuk gjej dot fjalët për tu shprehur sa e lumtur jam”,-tha Fiqiretja e surprizuar.
“Nuk di ta shpreh me fjalë këtë, nuk na besohet, ju falenderojmë nga zemra”,-tha kryefamiljari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb