Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me vendimin e papritur të qeverisë për ndërtimin e një ndërmarrjeje për prodhimin e armëve luftarake në Shkozë të Tiranës, në një intervistë për News24.

Ky vendim, i firmosur nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, ka shkaktuar debate të shumta në opinionin publik, por edhe frikë në komunitetin e zonës së kryeqytetit që preket nga ky zhvillim.

Malaj, duke u rikthyer në periudhën kur ai ishte ministër, kujtoi se kishte propozuar që ndërtesa të shfrytëzohej me koncesion për një periudhë të caktuar, duke theksuar se ajo kishte një funksion publik.

“Kjo godinë i shërben një funksioni të mirë publik dhe nuk duhet të rrezikohet nga projekte të tjera,” tha ai. Ai gjithashtu theksoi se çdo vendim duhet të kalojë nga pushteti vendor, duke u shprehur se nuk e dinte nëse miratimi ishte dhënë nga zyrtarët përkatës.

Malaj shprehu shqetësimin se ky rast mund të përputhet me stilin e qeverisjes së Putinit, ku pushteti vendor kontrollohet nga një lider. “Nuk është e pranueshme që kryeministri të kthehet në kryetar të bashkisë,” theksoi ai.

Ai theksoi se rreziku për jetën e banorëve është i lartë dhe se Shqipëria ka shumë mundësi për ndërtimin e objekteve të tjera që nuk paraqesin kërcënim.

“Standardi ndërkombëtar kërkon qëndrimin e komunitetit. Nëse injorojmë shqetësimet e qytetarëve, rreziku do të mbetet i lartë,” përfundoi Malaj, duke kërkuar që zëri i shoqërisë civile dhe ekspertëve të merret parasysh.

“Këtë ndërtesë ia kam dhënë medias kur isha ministër i Ekonomisë që media të zhvillohej dhe jo t’i bëhej presion. E kemi dhënë me koncesion. Objekti është me funksion publik dhe s’duhet rrezikuar nga projektet e tjera.

E dyta, çdo vendim që merret duhet të kalojë patjetër në pushtetin vendor, nuk është me dëshirë. Këshilli bashkiak, Bashkia nuk ka dhënë miratimin për këtë projekt.

Po lexoja një profil të Putinit, nga një njeri që do të shpëtonte Rusinë, në autokrat. Dhe një nga tiparet dalluese ishte marrja e kompetencave të pushtetit vendor. Nuk është vetëm faji i Ramës, por edhe i atyre që marrin pagat nga taksat, që të bëjnë memon, është e ndaluar që kryeministri të kthehet edhe kryetar i bashkisë. Nuk mund të shkohet në bashki, e thërret në bashki kryetarin ose bën videocall. Kur ka ndërtime me risk të lartë, vendimtar duhet të jetë komuniteti. Shqipëria ka plot godina të tjera për të zhvilluar industrinë e luftës. Nëse injorojmë shqetësimin e qytetarëve, nëse nuk do të marrim parasysh qëndrimet zyrtare dhe publike, risku do të mbetet i lartë. E gjitha ka të bëjë me pasigurinë për jetën. Problemet e shpërthimit në uzinat e armatimit janë bërë shqetësuese edhe në vende të tjera”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb