Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i cili nuk garoi në zgjedhjet e 11 majit, ka komentuar në emisionin “Log.” në News24 vlerësimet paraprake të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR mbi procesin zgjedhor.
Koçi i cilësoi zgjedhjet si më të qetat krahasuar me proceset e mëparshme, por nënvizoi rëndësinë e shqyrtimit të plotë të raportit final të vëzhguesve ndërkombëtarë:
“Krahasuar me zgjedhjet e tjera, këto kanë qenë më të qetat. Mund të ketë problematika që misioni i OSBE/ODIHR i ka gjetur shqetësuese. Ata janë të specializuar dhe duhet të presim raportin përfundimtar për rezultatet e tyre.”
Duke folur për shqetësimet e ngritura mbi presionin ndaj votuesve, Koçi theksoi nevojën për ndëshkim ligjor nëse provohen raste të shkeljes:
“Jemi një shoqëri në konflikt interesi në një vend të vogël, dhe kuptohet që ka një situatë ku mund të ngatërrohen rolet e militantëve apo të punonjësve të administratës. Por nëse ka kërcënim për vendin e punës apo për ndihmën sociale, kjo është shkelje e ligjit dhe duhet të ndëshkohet.”
Koçi shprehu bindjen se zbatimi i ligjit dhe reflektimi ndaj rekomandimeve të ODIHR mbeten thelbësore për përmirësimin e proceseve zgjedhore në të ardhmen.
(BalkanWeb)