Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se është i bindur për mundësinë e një “ndryshimi regjimi” në Iran, ndërsa theksoi se negociatat mes dy vendeve po zhvillohen në mënyrë pozitive.

Duke folur për gazetarët në bordin e Air Force One mbrëmjen e së dielës, Trump bëri të ditur se SHBA-të janë në kontakte si të drejtpërdrejta, ashtu edhe të tërthorta me Teheranin.

“Besoj se do të arrijmë një marrëveshje me ta. Jam mjaft i sigurt, edhe pse ekziston mundësia që të mos ndodhë. Nëse e shikoni situatën, tashmë kemi një ndryshim regjimi, sepse regjimi i parë u shkatërrua. Regjimi tjetër është pothuajse i zhdukur, ndërsa tani kemi të bëjmë me një grup krejtësisht të ndryshëm njerëzish”, u shpreh Trump.

Ai shtoi se pala iraniane ka treguar se und të jetë i arsyeshëm gjatë negociatave, ndërsa konfirmoi se Teherani i është përgjigjur planit amerikan me 15 pika për armëpushim.

“Ata na dhanë shumicën e pikave. Pse nuk do ta bënin?”, tha presidenti amerikan.

Megjithatë, Trump nuk dha detaje konkrete mbi përmbajtjen e negociatave, duke lënë të paqartë natyrën e lëshimeve të mundshme nga ana e Iranit.

Në deklaratat e tij, ai komentoi edhe për situatën në krye të udhëheqjes iraniane, duke thënë se udhëheqësi i ri suprem, Mojtaba Khamenei, “mund të jetë gjallë, por është në telashe serioze” dhe se “është plagosur rëndë”.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb