Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei tha të shtunën se Teherani nuk do të negociojë nën presionin e një “vendi ngacmues”, një ditë pasi Presidenti i SHBA Donald Trump tha se i kishte dërguar një letër autoritetit më të lartë të vendit për të negociuar një marrëveshje bërthamore.

Në një intervistë me Fox Business , Trump tha se “ka dy mënyra se si mund të trajtohet Irani: ushtarakisht, ose të bëni një marrëveshje” për të parandaluar Teheranin nga marrja e armëve bërthamore.

Në një takim me zyrtarë të lartë iranianë, Khamenei tha se qëllimi i ofertës së Uashingtonit për negociata ishte të “impononte pritshmëritë e tyre”, njoftoi media shtetërore iraniane.

“Këmbëngulja e disa qeverive ngacmuese në negociata nuk është për të zgjidhur çështjet, por për të dominuar dhe imponuar pritshmëritë e tyre”.

“Bisedimet për ta janë një rrugë për të pasur pritshmëri të reja, nuk ka të bëjë vetëm me çështjen bërthamore të Iranit. Irani definitivisht nuk do t’i pranojë pritshmëritë e tyre.”

Ndërsa shprehu hapjen për një marrëveshje me Teheranin, Trump ka rikthyer një fushatë “presioni maksimal” që u aplikua gjatë mandatit të tij të parë për të izoluar Iranin nga ekonomia globale dhe për të çuar eksportet e tij të naftës në zero.

Gjatë mandatit të tij të parë 2017-2021 si president, Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje historike midis Iranit dhe fuqive të mëdha që vendosi kufizime të rrepta për aktivitetet bërthamore të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Pasi Trump u tërhoq në 2018 dhe rivendosi sanksionet, Irani i shkeli dhe i tejkaloi shumë ato kufij.

Shefi i mbikëqyrjes bërthamore të OKB-së, Rafael Grossi, ka thënë se koha po mbaron që diplomacia të vendosë kufizime të reja mbi aktivitetet e Iranit, pasi Teherani vazhdon të përshpejtojë pasurimin e uraniumit në nivel gati të armëve. Teherani këmbëngul se puna e tij bërthamore është vetëm për qëllime paqësore.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb