Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dërguar një letër misionit monitorues të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës.
Këta të fundit do të vizitojnë Shqipërinë në datat 17-19 nëntor, për të zhvilluar një takim në ambientet e IEVP Durrës, ku mbahet në paraburgim prej datës 10 shkurt.
Kjo kërkesë e Veliajt për monitoruesit e Këshillit të Europës vjen pasi këta të fundit e kanë njoftuar zyrtarisht kryebashkiakun për ardhjen e tyre për këtë mision monitorimi.
Ndërkohë, disa ditë më parë, Veliaj iu drejtua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë për të lejuar zhvillimin e një takimi zyrtar me përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.
“Qëllimi i këtij takimi është të sigurojë transparencë, komunikim të drejtpërdrejtë dhe informim të saktë mbi situatën time ligjore, statusin tim institucional si Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe respektimin e të drejtave të mia si i ndaluar. Në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet 6 dhe 8 që garantojnë të drejtën për komunikim dhe përfaqësim, ju lutem të miratoni këtë kërkesë dhe të siguroni kushtet për zhvillimin e takimit gjatë periudhës së vizitës së përmendur”, thekson Veliaj në kërkesën drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Burgjeve.
Këtë kërkesë Veliaj e ka dërguar edhe në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku dosja e tij ndodhet në seancë paraprake, nëse do të kalojë për gjykim apo jo.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash. Më 23 shtator të këtij viti, Këshilli Bashkiak e shkarkoi me arsyetimin e mungesës në punë, vendim që u konfirmua nga Këshilli i Ministrave më 25 shtator.
Por Veliaj kërkoi shfuqizimin e këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese. Më 3 nëntor, togat e zeza vendosën në favor të Erion Veliajt duke shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij dhe duke e rikthyer në detyrës. Sipas gjykatës, Veliaj nuk ka kryer shkelje të rëndë, pasi mungesa e tij në detyrë lidhet me arrestimin dhe jo me neglizhencë apo abuzim.
Urdhri i tij i parë pas këtij vendimi erdhi më 11 nëntor, për dekorimin e Tiranës për festat e fundvitit. Urdhër i cili ka nisur të zbatohet.
