Alarmi ajror u aktivizua në orët e para të mëngjesit në Kiev, pasi forcat ruse nisën një sulm të ri me raketa balistike ndaj kryeqytetit ukrainas. Sulmi shkaktoi dëme në disa ndërtesa banimi, ndërsa autoritetet u bënë thirrje qytetarëve të qëndronin në strehimet e sigurisë.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi përmes një mesazhi në Telegram se shpërthime të fuqishme u dëgjuan fillimisht në periferi të qytetit. “Shpërthime në periferi të Kievit. Armiku po godet infrastrukturën me raketa balistike”, deklaroi ai.

Rreth gjysmë ore më vonë, Klitschko publikoi një tjetër përditësim lidhur me pasojat e sulmit. Sipas tij, mbetjet e raketave ranë mbi një ndërtesë pesëkatëshe, ndërsa fasada e një pallati tjetër u dëmtua.

Deri në momentin e raportimit, nuk kishte informacion të konfirmuar për persona të vrarë apo të plagosur. Autoritetet vijojnë të vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga sulmi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb