Analisti Mentor Kikia, i ftuar në studion e News 24, komentoi aktualitetin politik.
Duke folur për Primaret në Partinë Demokratike, Kikia tha se primaret në PD janë një proces pozitiv për demokracinë. Ai shtoi se kush humbet zgjedhjet brenda partive politike, duhet të pranojë humbjen dhe të bashkëpunojë me fituesin brenda partisë, për fitore në zgjedhje.
“Zgjedhjet brenda një partie politike janë një gjë e mirë. E shikoj si proces pozitiv. PD është në krizë, pasi është në opozitë dhe askush nuk do që të bashkohet me një parti opozitare. Parë në këtë prizëm, Berisha nuk do të donte që të kishte një listë me 1000 njerëz dhe të zgjidhte 200 persona si kandidatë. Do ishte zgjedhje e vështirë, sepse çdokush do të kishte pretendime. Zgjedhjet brenda partisë do të krijojnë pakënaqësi, sepse ne nuk kemi përvojë të mirë me zgjedhjet. Kush humbet zgjedhjet brenda partisë, duhet të pranojë rezultatin dhe duhet të bashkëpunojë me fituesin. Por, besoj se ka një ngërç, pasi nuk mund të eliminohen qejf-mbetjet ballkanike. Në parti të tjera zgjedhje të brendshme nuk janë bërë. U zgjodh modeli me lista gjysmë të hapura, ku kryetari vendos në listë të sigurt atë që dëshiron”, tha Kikia.
Duke komentuar strategjinë e SPAK për të luftuar krimin elektoral, Kikia nënvizoi se Struktura e Posaçme dhe Prokuroria nuk kanë luftuar si duhet krimin elektoral. Ai shtoi se nëse SPAK “ndjek paranë”, beson se do të shkojë tek “strofulla”.
“SPAK dhe prokuroria nuk e kanë luftuar krimin elektoral, e prandaj demokracia shqiptare ka degraduar tek kriminelët që kthehen në ligjvënës, sepse krimi elektoral ka qenë rrugëve. Është zhvillim i mirë, që SPAK do punojë në këtë drejtim. SPAK mund të ketë vendosur njerëz të caktuar në përgjim. Nëse SPAK ndjek paranë, besoj do shkojë tek strofulla. Nëse biznesi jep para për partitë sot, nesër do mbrapsht nderin. Mbrapsht një ditë kthehet nderi përmes tenderave dhe ndaj ka lindur oligarkia”, deklaroi Kikia.
(Balkanweb)
