Analisti Mentor Kikia ka komentuar procesin për zgjedhjen e kryetarit të PD në 23 maj, duke ironizuar lidhur me faktin që nuk pati garë dhe për mungesën e kandidaturave alternative përballë Sali Berishës.
Sipas Kikisë, sa kohë në parti nuk ka asnjë figurë që shfaq ambicien për të marrë drejtimin e saj, tregon krizën e thellë politike. Ai e cilësoi Berishën si “kryetar të përjetshëm të PD-së”, ndërsa krahasoi situatën e partisë me një “dyqan të falimentuar që duhet të ulë qepenin”.
Analisti theksoi se mungesa e garës reale dëmton demokracinë e brendshme në parti dhe zbeh alternativën opozitare përballë qeverisë.
Mentor Kikia: Zgjedhje nuk ishin. Por as referendum sepse ka tjetër përmbajtje. Pastaj u gjet një tjetër zgjidhje, u quajt votëbesim. Ishte një proces politikisht nuk ka asnjë vlerë. Nuk kishte dyshim për Berishën që do të konfirmohej si kryetar i PD. Nëse do të dojë ai do të jetë kryetar i përjetshëm i saj, edhe pas vdekjes, gjë të cilën në aspektin human nuk ia uroj.
Por ajo që dëshmohet është një gjë që lidhet me standardin e demokracisë së brendshme të partive politike shqiptare. E trishtë që në vitin 2026 standardi i demokracisë është më i ulët se në 1992.
Kemi një duzinë partish të cilat janë prona familjare të kryetarëve. Kemi një parti në pushtet që nuk bën zgjedhje, kemi një parti opozitare që jep leksione por sërish nuk bën zgjedhje.
Nëse një parti politike në nivelin e PD është një parti ku askush s’ka ambicien për t’u bërë kryetar, është një si një dyqan që ka falimentuar dhe i duhet ulur qepeni. Unë nuk mendoj se është kështu. Njerëzit futen edhe për të përmbushur egon e tyre politike.
Berisha është kundërshtari i preferuar i Ramës. Kjo pasi një lider i ri opozitar do të mund të prodhonte një qasje dhe fryme tjetër opozitariste për ta shndërruar në kapital politik pakënaqësinë që mund të kenë qytetarët ndaj qeverisjes. Berisha është kryetari absolut i PD dhe sado të hapet gara askush nuk i fiton zgjedhjet për kryetar, sepse Berisha nuk e lëshon PD-në.
