Ministri kinez i Tregtisë, Wang Wentao, deklaroi se Pekini dhe Uashingtoni mund të bashkëpunojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare mes tyre.
Deklarata e tij vjen pak para rifillimit të raundeve të reja të negociatave ndërmjet dy vendeve.

“Katër takimet e mëparshme të konsultimeve tregtare kinezo-amerikane kanë treguar se Kina dhe SHBA mund të gjejnë mënyra efektive për të zbutur shqetësimet e ndërsjella, të gjejnë mënyra të qëndrueshme bashkëjetese dhe të nxisin zhvillimin e shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe afatgjatë të marrëdhënieve ekonomike përmes respektit të ndërsjellë dhe dialogut të barabartë,” tha ministri kinez i Tregtisë për gazetarët në Pekin.

Dy vendet me ekonomi më të mëdha në botë janë përfshirë në një konflikt të ashpër tregtar që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, në janar.
Pas një periudhe lehtësimi të tensioneve, marrëdhëniet u përkeqësuan sërish në tetor, pasi Kina shpalli forcimin e kontrolleve mbi eksportet e mineraleve të rralla dhe teknologjive të përdorura për përpunimin e tyre.

Ministri kinez njoftoi të enjten se një delegacion kinez do të udhëtojë në Malajzi nga sot deri të hënën, për negociata të reja me SHBA-në, të cilat do të udhëhiqen nga zëvendëskryeministri kinez, He Lifeng.

Nga ana tjetër, qeveria amerikane konfirmoi se përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, do të shoqërojë presidentin Donald Trump gjatë turneut të tij në Azi dhe do të takohen me delegacionin kinez në Malajzi.

Malajzia, nga e diela në Kuala Lumpur, do të presë samitin e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), ku pritet të zhvillohen edhe këto bisedime tregtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: