Kina mbështet nisjen e negociatave të reja tregtare me SHBA, ku dy vendet synojnë të shmangin një përshkallëzim të ri lidhur me taksat doganore, njoftoi sot agjencia kineze e lajmeve Xinhua.
Ky njoftim vjen pas një video-konference mes negociatorit kryesor të Kinës për çështjet tregtare, zv/kryeministrit kinez He Lifeng, dhe sekretarit amerikan të Thesarit Scott Bessent, gjatë së cilës u zhvilluan “biseda të sinqerta, të thella dhe konstruktive,” sqaroi agjencia kineze.
Tensionet tregtare midis dy vendeve më të fuqishme ekonomike në botë janë rritur javën e kaluar, pas njoftimit të Pekinit për forcimin e kontrollit të tokave të rralla dhe teknologjive të nevojshme për përpunimin e tyre.
Sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent tha të premten se do të takohet me He Lifeng javën e ardhshme për të përgatitur negociata të reja.
